Gjatë seancës së sotme plenare, para togave të zeza ish-kryebashkiaku socialist i Kukësit nuk ka pranuar kryerjen e ndonjë krimit, duke mohuar dhënien e projektit.
Në dëshminë e dhënë, Gjici ka theksuar se dënimin për veprimin që ai ka bërë, tashmë e ka marrë, teksa më tej është shprehur se ka rënë në kurthin e atyre që sipas ish-kryebashkiakut nuk e duan.
“Unë u ndëshkova për veprimin që kam bërë. E mora dënimin. Rashë në kurthin e atyre që nuk më duan. Nuk ka projekt, nuk kam parë projekt. Nuk kam shkelur ligjin. S’kam kryer shkelje. Jam dakord me qëndrimin e avokatit”, mësohet të ketë thënë ai gjatë seancës për masën e sigurisë në Gjykatën e Posaçme.
Ndërsa, Alma Kaçi, vajza e cila është shfaqur në videon intime me Safet Gjicin ka pranuar në Gjykatën e Posaçme se ka pasur lidhje me ish-kryebashkiakun e Kukësit.
Ajo tha se kur ka shkuar herën e parë në takim me të Gjici e ka ngacmuar seksualisht, ndërsa në takimin e dytë ka kryer marrëdhënie intime me dëshirën e saj, si dhe ka vendosur ta filmojë.
“Kisha një projekt merresha me qentë, kam pasur lidhje me zotin Gjici. Kur shkova herën e pare ai me ngacmoi seksualisht, në takim e dytë marrëdhënien e kam kryer me dëshirë, por vendosa ta filmoj”, mësohet të jetë shprehur Kaçi.
Gjykata e Posaçme ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici. Ndërsa, për Alma Kaçin, vajzën e cila u shfaq në videon intime me Gjicin, Gjykata dha masën “arrest shtëpie”.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”, pasi nga një video e plotë e skandalit seksual në zyrën e tij, doli se Alma Kaçi i kishte kërkuar favore për një tender për sterilizimin e qenëve dhe Gjici e kishte aprovuar.