Po të kishte barazi para ligjit, sot mund të ishte prapa hekurave dhe subjekt i veprimit të ligjit anti-mafia, më e pakta jashtë policisë, si i shkarkuar dhe akuzuar si një nga nyjet e trafikut të drogë në Policinë e Shtetit, por Boge Budini, jo vetëm ka arritur t’i shpëtojë veprimit të ligjit, por është rikthyer në Policinë e Shtetit.
Boge Budini, ish drejtor i Policisë Kufitare në Durrës, rezulton në disa dosje hetimore, vendime gjykatash, raporte sekrete, përgjime etj., si skafist dhe është akuzuar publikisht si një nga segmentet e lejimit të trafikut të drogës në Durrës, duke vepruar gjithnjë nga brenda dhe nën uniformën e policisë së shtetit.
Bode Budini, si drejtor i Policisë Kufitare në Durrës, gjatë viteve 2013-2017, është skeduar dhe akuzuar si garancia dhe mbikëqyrësi i trafikimit të tonelatave drogë, me në krah zëvendës drejtorin e Kufirit, Moisi Sula.
Në maj të vitit 2017, Prokuroria për Krime të Rënda “shkriu” Policinë Kufitare të Durrësit pas kapjes së një kamioni me drogë në Itali, pasi kishte kaluar pa problem në Durrës.
U arrestuan 18 persona, si doganierë e policë, vartës të Budinit. Goditja erdhi pas sinjalizimeve të forta të shërbimeve partnere dhe kapjes së tonelatave drogë. Çuditërisht Boge Budini shpëtoi vetëm me shkarkim nga detyra.
Edhe pse përgjegjësia kryesore për garantimin e trafikut të drogës ishte e drejtorit, ky i fundit nuk u arrestua si ushtarët e tij.
Një burimi konfidencial tha se ka pasur edhe një urdhër për arrestimin e Boge Budinit, por që nuk u zyrtarizua.
Ka dyshime të forta se urdhri është grisur pas ndërhyrjeve në rangje të larta. Flitet edhe për një pagesë prej 300 mijë eurosh, por ky pretendim nuk mund të vërtetohet, siç janë fakte kamioni me drogë, shkarkimi i Boge Budinit, arrestimi i vartësve të tij etj.
Dosjen e ka pasur prokurori Besim Hajdarmataj, i shkarkuar nga Vetingu si i korruptuar dhe për lidhje me persona të krimit të organizuar.
Për Boge Budinin ka edhe disa dosje në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, dosje të cilat janë bllokuar nga drejtori i kësaj agjencie, Ardi Veliu, i lakuar gjithashtu për afera në krye tê Policisë së Shtetit.
Prapaskena ka dokumentuar edhe disa takime të Boge Buduit, me subjke që kanë çështje me interesa të fuqishme në gjyqësor, duke ngritur dyshime të forta për rolin tij të mundshëm si sekser i gjyqtarëve të korruptuar.
Gjithsesi, skandali më i rëndë konsiston në faktin që Boge Budini, me gjithë këto implikime të rënda, është rikthyer në Policinë e Shtetit.
Po si u rikthye i aluzuari publikisht si garantues i trafiqeve në polici?
Kush firmosi? A po e përdor detyrën për ndikime të paligjshme në drejtësi?
Çfarë pasurish ka dhe si i justifikon?