Berlusconi dhe lidhja e tij me shqiptarët

Aktualitet

Publikuar: 12/06/2023

Berlusconi dhe lidhja e tij me shqiptarët

Italia ka qenë gjithmonë avokatja kryesore e Shqipërisë. Për këtë ka ndikuar edhe Silvio Berlusconi që mund të konsiderohet ndër ata politikanë botërorë që e ka e vlerësuar Shqipërinë si një partner strategjik në këto vite të tranzicionit drejt një shoqërie të hapur.

Më 23 retor të vitit 2002, Berlusconi realizoi vizitën e parë në Tiranë ku u prit nga ish-homologu i tij Fatos Nano. Ishte koha kur në qendër të vëmendjes së qeverisë italiane ishte lufta kundër trafikut ilegal të drogës dhe qenieve humane fenomen që vijoi me vite edhe pas kësaj vizite.

Italia nëpërmjet influencës së Berlusconi shtriu prezencën e saj ekonomike me investime në vendin tonë. Jo vetëm kaq, por si president i një prej klubeve më të famshme botërore të futbollit Milan ai ndikoi që kjo skuadër në muajin shtator të 2009 të zhvillonte një ndeshje miqësore me Kombëtaren Shqiptare.

Në vizitën e dytë në Tiranë, Berlusconi u prit nga ish-kryeministri Sali Berisha. Dhe ishte pikërisht karizma e kavalierit që e ktheu Berishën në objekt të batutave, ironisë dhe shakave të tij. Gjatë vizitës që Berisha zhvilloi në Romë në muajin shkurt të 2010, në konferencën e përbashkët për shtyp zgjodhi të fliste italisht.

Berlusconi e ironizoi me batuta rreth njohurive të mangëta në gjuhën italiane. Në këtë ditë që Berlusconi u largua nga jeta në moshën 86-vjeçare, vlerësime për të ka dhënë edhe politika shqiptare. Presidenti Bajram Begaj, në një postim në Tëitter, shkruan: “Lajm i trishtë! Miku i shqiptarëve, Silvio Berlusconi, ndahet nga jeta. U prehtë në paqe!”

Edhe kryeministri Edi Rama e konsideroi një mik të shqiptarëve. “Lamtumirë President dhe mik i mirë i Shqipërisë”, shkruan Kryeministri.

Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha, teksa vlerësoi figurën e Berlusconit, miqësinë e tij personale me të dhe kontributin ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, mbajti në kujtim të tij 1 minutë heshtje.

Sipas tij, Silvio Berlusconi ishte një mik i madh dhe i çmuar i Shqipërisë, i Kosovës, i kombit shqiptar dhe i PD-së.