Masakra me 4 të vrarë në Velipojë, arrestohet në Itali Elmilind Dyli, njëri prej autorëve

Aktualitet

Publikuar: 11/06/2023

Masakra me 4 të vrarë në Velipojë, arrestohet në Itali Elmilind Dyli, njëri prej autorëve

Policia ka konfirmuar zyrtarisht se në Itali është arrestuar një nga autorët e masakrës së Velipojës në vitin 2021, ku mbetën të vrarë 4 persona pas një sherri për shezlongët.

Lajmi u raportua një ditë më parë nga mediat italiane, ndërsa sot konfirmohet edhe nga Policia e Shtetit. Në pranga ka rënë Elmilind Dyli,i cili mbeti i plagosur në atë masakër dhe akuzohet se është njëri prej autorëve.

“Një person i shpallur në kërkim për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje është arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Pas verifikimeve të thelluara të kryera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i shtetasit të shoqëruar E. D., thuhet në njoftim.

Policia bën me dije se shtetasi E. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, 4 shtetas.

Policia e Shtetit falënderon homologët italianë dhe zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, për bashkëpunimin e shkëlqyer policor në interes të të dy vendeve dhe më gjerë”, njofton policia.

Si ndodhi masakra e Velipojës

Në orët e para të 27 qershorit 2021, një konflikt për vendosjen e çadrave të plazhit në Velipojë shkaktoi 4 të vrarë dhe 2 të plagosur.

Ngjarja ndodhi mes dy fiseve Gocaj dhe Verracaku. Viktimë mbetën vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj, kamarieri i hotelit të tyre Myzerim Zeneli dhe Kujtim Verracaku.

Krimi ndodhi në oborrin e hotelit të familjes Gocaj në Velipojë. Anëtarë të familjes Verracaku bashkë me kushërinjtë e tyre kishin shkuar për t’u sqaruar në lidhje me vendosjen e çadrave në plazh, por të dyja palët debatuan.

Debati degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit dhe përplasja solli edhe bilancin e rëndë.