Katër burgime të përjetshme i janë dhënë 61-vjeçarit Sakis Varvaresos, i cili në mars të vitit të kaluar kreu një masakër, duke vrarë me armë një çift shqiptar dhe mbytur dy fëmijët e tyre 1.5 dhe 2,5 vjeç në Andravidha të Peloponezit.
Kjo ngjarje tejet e rëndë është kthyer në skenë pas dënimit final të autorit, i cili nuk ka marrë asnjë masë lehtësuese nga gjykata. Armando Kloci dhe bashkëshortja e tij 28-vjeçare, Maria, jetonin me qira në shtëpinë e autorit, i cili pas vrasjeve makabre e ka justifikuar krimin me argumentin se çifti nuk i kishte dhënë paratë e qirasë prej dy muajsh.
Drejtuesja e Prokurorisë së Shkallës së Parë të Patrës, Konstantoula Athanasopoulou, gjatë fjalës së saj theksoi se “i pandehuri ka vepruar me egërsi të veçantë dhe ka dashur t’i eliminojë si familje” dhe me ton të veçantë është shprehur se “është kriminel”.
Prokuroria ka arritur të ndërtojë edhe skenën e krimit, duke treguar se autori qëlloi, vrau, tërhoqi zvarrë viktimat dhe u mundua të pastronte vendin e krimit, por djali tjetër i familjes, ai i Marias me martesën e mëparshme, u shfaq në banesë dhe pikasi autorin duke u munduar të fshehë shenjat e krimit.
Më pas 61-vjeçari ndërroi rrobat dhe u largua për në Patra, ku edhe fshehu armën dhe nuk bashkëpunoi me policinë për gjetjen e saj. Gjithashtu, prokuroria hodhi poshtë edhe një çrregullim të mundshëm mendor dhe humbje të kujtesës së autorit, pasi ai nuk ka asnjë problem të tillë tani dhe as në të shkuarën.
Trupat e pajetë të Armando dhe Maria Klocit u gjetën në depon ë shtëpisë. Djali 2.5 vjeç mbi batanije në dysheme, kurse djali më i vogël u gjet i vdekur nga vëllai i madh i tij 12 vjeç, që erdhi më pas në shtëpi me një shokun e tij. Vetëm fëmija i parë nga martesa e shkuar e Marias mbeti i gjallë nga familja me 5 anëtarë. Ai tashmë jeton në shtëpinë e babait të tij.
Para se të ekzekutonte viktimat, autori kishte prerë energjinë elektrike. Krimi ishte tërësisht i paramenduar, teksa 61-vjeçari kërkonte të zhdukte gjurmët e familjes së vrarë dhe kishte nisur t’i ngarkonte kufomat në karrocerinë e makinës për t’i transportuar në një vend ku të humbnin gjurmët.
Në momentin që u zbulua nga djali i madh i familjes, ai është larguar me shpejtësi, për tu arrestuar disa orë më vonë nga policia. Në fillim nuk ka pranuar krimin, por më pas e ka pohuar me justifikimin se vrasjen e kishte bërë për arsye se familja shqiptare nuk i kishte paguar qiranë e dy muajve të fundit.