Specialistja e ISHP-së, Silva Bino është paraqitur këtë të martë në SPAK.
Specialistja e ISHP-së Bino do të merret sot në pyetje nga prokurorët e Antikorrupsionit. Nuk janë bërë të ditura arsyet e thirrjes së saj nga SPAK.
E vetme, ajo ka hyrë në oborrin e SPAK, e ka kërkuar nga roja orientim për të hyrë në godinë, ndërsa ende nuk dihet se përse ka shkuar për të dëshmuar.
Vetëm pak ditë më parë ishte SPAK në Ministrinë e Shëndetësisë, ku u arrestua Sekretarja e Përgjithshme, Joana Duro dhe zyrtarja tjetër, Laureta Sheta.
Të dyja akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre, Duro nuk e ka pranuar akuzën, dhe ka deklaruar se ka kryer vetëm detyrën.
Hetimi i udhëhequr nga prokurori Dritan Prençi, ka provuar se biznesmeni nga Lushnja që administron kompaninë e ndërtimit “Dricons”, Vladimir Topi ka paguar një shumë prej 3.3 milion lekë të vjetra tek sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, me qëllim fitimin e një tenderi me vlerë 8 milion lekë të vjetra.
SPAK ushtroi kontrolle dhe në banesat e tyre, por nuk gjeti sende të paligjshme. Tenderi për të cilin thotë SPAK-u është zhvilluar në 22 Maj dhe i gjithë fondi limit i tij ishte 805 mijë e 872 lekë. Nga kjo llogari del se sekretarja e Përgjithshme e ministrisë mori rryshfet 41 për qind të fondit limit të tenderit.