Djali i Fahri Balliut, Klevis Balliu, thotë se zgjedhjet në Shkodër u vodhën me banda, por shtoi se nuk është detyra e opozitës të përballet me to.
Sipas Balliut, problemi është më i madh se kaq, pasi siç tha, populli nuk voton por ikën nga vendi.
“Të gjithë biem dakord Shkodra është marrë nga mafia, ju kërkoni i llogari opozitës pse nuk doli në Shkodër me kallash kundër bandave.
More zotëri unë kam mbaruar në Angli për politikë jo për qitje. Këtu problemi është shumë herë më i madh, këtu nuk ka zgjedhje, ka vjedhje dhe ky nuk është problemi i PD.
Problem është kur populli nuk voton dot dhe ikën, 1 mln shqiptarë kanë ikur”, tha Balliu.
Balliu tha se nuk është e vërtetë që opozita nuk i ka denoncuar bandat të cilat po bënin fushatë elektorale në favor të qeverisë.
Ai tha se ai vetë, por edhe persona të tjerë nga opozita i kanë denoncuar bandat duke i përmendur me emra.
“Unë kam përmendur me emër dhe mbiemër aktorët kryesor të krimit të organizuar, qoftë në rastin e Shkodrës me Bajrajt dhe pafund të tjerë edhe në rastin e Durrësit, janë përmendur të gjithë.
Gjatë procesit zgjedhor, duhet të kuptoni që ne nuk mundtë dalim e ti themi se jemi në fushatë se nuk është vetëm dekurajim për njerëzit, por të funksionon në të kundërt. Kjo opozitë i ka përmendur me emër njerëzit dhe lidhjet e krimit me politikën”,-tha Klevis Balliu.