Ç’të mbjellësh do të korrësh! Pse qytetarët bojkotuan opozitën

Aktualitet

Publikuar: 16/05/2023

Ç’të mbjellësh do të korrësh! Pse qytetarët bojkotuan opozitën

Sali Berisha dhe Ilir Meta vijojnë të hedhin akuza për manipulim masiv të procesit zgjedhor nga ana e Edi Ramës në mbarë vendin. Akuzat hidhen pa publikuar qoftë edhe një provë, apo indicie se si e manipuloi Edi Rama këtë proces.

Por, sa qëndrojnë këto akuza? Në mungesë të provave të ofruara nga dyshja Berisha-Meta, një orientim nëse procesi është i manipuluar apo jo mund të na ofrojnë shifrat. Voxnews.al analizoi përqindjen e pjesëmarrjes dhe rezultatet në zgjedhjet vendore të 2015-s, ato parlamentare të 2021 dhe në zgjedhjet e kësaj të diele.

Pjesëmarrja në 14 maj ishte diku te 38 për qind, ose rreth 1.4 milionë votues, nga 3.6 mln të tillë. Në 2021, pjesëmarrja ishte 46.33 për qind, ose 1.66 milionë. Në zgjedhjet e 2015, pjesëmarrja ishte rreth 47 për qind, ose pak më shumë se 1.6 milionë votues.

Shifrat tregojnë se në këto zgjedhje, ka të paktën 250 mijë votues më pak. Shifra e atyre që bojkotuan procesin në krahasim me zgjedhjet vendore të 2015-s dhe ato parlamentare të 2021 nuk justifikohet vetëm me emigrimin. Sipas të dhënave të Eurostat, nuk janë më shumë se 40 mijë qytetarë shqiptarë që janë larguar nga vendi në dy vitet e fundit.

Ajo që ka ndodhur realisht, sipas interpretimit të shifrave është dështimi i opozitës për të tërhequr në kutinë e votimit jo vetëm votuesit gri e të rinjtë, por edhe vetë mbështetësit e saj në përmasat e 2015-s dhe të 2021. Për të kuptuar bojkotin masiv të rinisë mjafton shifra se nga 122 mijë votues për herë të parë, votuan vetëm 16 mijë, sipas KQZ-së, ose rreth 14 për qind e totalit.

Dështimi i opozitës, provohet tërthorazi edhe nga votat që ka marrë Partia Socialiste dhe kandidatët e saj. Përgjithësisht, mazhoranca ka ruajtur të njëjtat vota si në zgjedhjet e 2015-s. Si shembull Tirana, Erion Veliaj në 2015 fitoi me 160 mijë vota. Në 2023 siguroi thuajse 159 mijë vota. E njëjta prirje e votuesit vërehet edhe në bashkitë e tjera, qofshin bastion, ose jo i socialistëve.

Përjashtim bëjnë bashkitë bastion i Partisë Demokratike, si Kukësi, Tropoja, apo Shkodra. Në Shkodër, pjesëmarrja më 14 maj ishte 34 për qind, në 2015-n pjesëmarrja ishte mbi 45 për qind. Në Kukës, pjesëmarrja në 2015-n ishte 60 për qind, më 14 maj më pak se 53 për qind. Në Tropojë, pjesëmarrja në 2015-n ishte 53 për qind, në 2023 45 për qind.

Këto janë shifrat dhe shifrat sugjerojnë se këtë të diel, opozita korri atë që ka mbjellë që pas 2015-s. Mbolli çadrën, mbolli bojkotin, mbolli djegien e mandateve dhe këtë të diel mori si frut bojkotin e qytetarëve.

©Copyright Vox News