Demokratët u fyen kur panë emrin e tij në fletën e votimit, Ilir Meta shkatërruesi kryesor i opozitës!

Kryesore

Publikuar: 15/05/2023

Demokratët u fyen kur panë emrin e tij në fletën e votimit, Ilir Meta shkatërruesi kryesor i opozitës!

Gjysmë ore pasi u mbyllën qendrat e votimit, Sali Berisha doli me një deklaratë për shtyp edhe këtë herë për të shpallur fitoren, por pasi vendosi në mëdyshje shifrat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pjesëmarrjen në votime.

Një orë më vonë, kur u vu në dijeni të rezultateve dërrmuese nga Elbasani, Vora dhe Kamza thirri konferencë për shtyp me në krah Salvator Kaçajn, përfaqësues i Bashkë Fitojmë në Lezhë. Në këtë konferencë akuzonte bandat e Edi Ramës, që sipas tij, po terrorizonin votuesit në gjithë Qarkun e Lezhës.

Pak minuta pasi u zyrtarizua rezultati i votimit elektronik në Elbasan, Vorë e Kamzë, ku Bashkë Fitojmë kishte humbur bashkarisht me një rezultat dërrmues doli në një deklaratë tjetër për shtyp. Këtë herë nuk i besonte as teknologjisë dhe hodhi akuza për manipulim, pavarësisht se kandidati i tij në Elbasan e njohu vullnetin e shprehur elektronikisht të qytetarëve.

Deklaronte se si teknologjia ishte manipuluar, por pa sjellë dot asnjë fakt se si kishte funksionuar ky manipulim. E gjithë retorika postzgjedhore e Berishës është një alibi që shmang arsyet e vërteta të humbjes.

Ato mund të jenë disa, por kryesorja është vetëm një; koalicioni me Ilir Metën. Ai mori siglën e Ilir Metës, jo më shumë për t’u përballur me Edi Ramën në zgjedhje se sa për të nisur kryqëzatën inatçore kundër SHBA se pse e ka shpallur non grata.

Por, Meta ashtu siç ka bërë gjithmonë në pushtet dhe në opozitë lozi me dy porta. Nga njëra anë i dha Berishës siglën e vulën me qira, nga ana tjetër e grreu në bazë për ambicien personale për t’u shndërrruar si lider i opozitës.

Të njëjtën gjë bëri me Fatos Nanon në 2005-n, me socialistët në 2009-n dhe me Berishën në 2013-n. E përsëriti me Ramën në 2017-n, por e pësoi Lulzim Basha, ashtu siç e pësoi Sali Berisha në këto zgjedhje.

Kjo është vetëm njëra anë. Ana tjetër e medaljes është antipatia që dyshja Meta-Kryemadhi gëzon mes qytetarëve. Të akuzuar në dy dekada për afera madhore korruptive, për pasuri e jetë luksi të pajustifikueshme deri më tani ja kanë dalë pa u lagur.

Prandaj, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk përfaqësojnë e nuk mbrojnë asnjë interes publik përveç interesave të tyre thelbësisht personale. Kur u pyet për ideologjinë e Partisë së Lirisë që ngriti nga rrënojat e LSI-së, nëse do të ishte e majtë apo e djatht, Ilir Meta e shmangu përgjigjen.

E vërteta është që Partia e Lirisë trashëgoi ADN-në e LSI-së, duke qenë një parti klienteliste pa shtyllë kurrizore ideologjike, ashtu si drejtuesi i saj pa një shtyllë kurrizore politike.

Prandaj, nëse Sali Berisha do të gjejë fajtorin e vërtetë të dështimit spektakolar të opozitës ai e ka pasur atë në krah në këto zgjedhje.

©Copyright Vox News