Një ngjarje tronditëse me protagonist një familje shqiptare dhe dy viktima është regjistruar mesnatën e kaluar në qytetin e Foggias në Itali.
Mediat përtej Adriatikut raportojnë se 45-vjeçari Taulant Malaj ka vrarë me thikë vajzën e tij 16-vjeçe, Gessica Malaj, ka plagosur bashkëshorten e tij, si dhe ka vrarë edhe një 51-vjeçar italian, shtetasin Massimo De Santis.
45-vjeçar shqiptar, bukëpjekës, është arrestuar nga karabinierët pas krimit të rëndë.
Krimi ka ndodhur rreth orës dy të mëngjesit dhe mësohet se Massimo De Santis është goditur me thikë nga Taulant Malaj në shkallët e pallatit ku po qëndronte. Më pas, shqiptari hyri në shtëpi me qëllim që të vriste gruan e tij, por vajza e tij, 16-vjeçe, ndërhyri për të mbrojtur nënën e saj dhe u vra.
Nga përplasja u plagos edhe bashkëshortja e vrasësit të dyshuar, e cila tashmë ndodhet në spitalin e Foggia. Gruaja ka arritur të arratiset dhe të lajmërojë policinë.
Kur policia mbërriti në vendngjarje, ata arrestuan 45-vjeçarin, i cili sipas hetuesve po endej në zonë në kërkim të djalit tjetër pesëvjeçar me të njëjtën grua.
Është gjetur arma e vrasjes, një thikë kuzhine. Pesëvjeçari iu besua përkohësisht dajave të tij.
Shkaku i krimit dyshohet të ketë qenë xhelozia, pasi Taulant Malaj dyshonte se gruaja e tradhtonte me italianin Massimo De Santis.