1,000 emigrantë të kthyer për 4 muaj, Qeveria britanike krenohet për marrëveshjen me Shqipërinë: Po funksionon!

Aktualitet

Publikuar: 25/04/2023

1,000 emigrantë të kthyer për 4 muaj, Qeveria britanike krenohet për marrëveshjen me Shqipërinë: Po funksionon!

Qeveria britanike njofton se nga 13 dhjetori kur u nënshkrua marrëveshja me Qeverinë shqiptare, për riatdhesimin e emigrantëve shqiptarë, më shumë se 1,000 shtetas janë kthyer. Në deklaratën zyrtare thuhet se puna operacionale mes dy vendeve është intensifikuar.

Mbretëria e Bashkuar dhe autoritetet shqiptare kanë punuar së bashku për ta bërë më të vështirë për emigrantët e paligjshëm mbërritjen dhe qëndrimin në MB. Që kur u miratua komunikata, shifrat e reja tregojnë se mbi 1000 shtetas shqiptarë janë kthyer në Shqipëri.

Kjo shifër është një kombinim i azilkërkuesve të refuzuar, shkelësve të shtetasve të huaj (te huajt e dënuar në Angli) dhe kthimeve vullnetare. Marrëveshja mbulon periudhën nga komunikata e përbashkët më 13 dhjetor deri në javën e parë të prillit”, thuhet në deklaratën zyrtare të Qeverisë britanike.

Ekipet operacionale të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë kanë ngritur një task forcë të përbashkët për migracionin, e cila shërben si porta kryesore për të koordinuar masat dhe veprimet e specializuara operacionale për menaxhimin e migrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë në MB.

Këtu përfshihen kontrollet e përforcuara për kriteret e lëvizjes së lirë në të gjitha pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin, verifikimet e shtuara për shtetasit shqiptarë që konstatohen se ndodhen ilegalisht në territorin e Britanisë së Madhe dhe shkëmbimi i oficerëve të lartë të policisë në të dy vendet.

“Ne po punojmë krah për krah me kolegët tanë britanikë nën task-forcën e përbashkët të migracionit për të parandaluar migrimin e parregullt në MB dhe krimet e lidhura me to. Policia Kufitare dhe Migracionit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të ndjekin rrugën legale të migrimit dhe garanton se të gjithë personat që shkelin ligjin do të përballen me pasojat”, është shprehur kreu i Policisë Kufitare dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku.

Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Zbatimit të Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Tony Eastaugh, është shprehur se shifrat konkrete tregojnë se riatdhesimi i shqiptarëve po funksionon.

“Këto shifra janë dëshmi se partneriteti ynë me qeverinë e Shqipërisë për të përshpejtuar largimin e atyre që nuk kanë të drejtë ligjore për të qenë në MB po funksionon.

Ndërsa ne e intensifikojmë më tej këtë aktivitet, shtetasit shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kanë të drejtë të jenë këtu, nuk duhet të kenë asnjë iluzion se do t’i largojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë zyrtari britanik.

“Në vitin 2022 ka pasur 1888 kthime të shtetasve shqiptarë, nga të cilët 954 (51%) janë kthime të detyruara dhe 934 (49%) kthime vullnetare. Numri i kthimeve vullnetare është 90% më i lartë se në vitin 2021 (492). Ky është një trend i ri dhe inkurajues, të cilin e kemi parë të vazhdojë edhe në vitin 2023.

Tashmë në vitin 2023, nga janari në mars, janë kthyer 795 shtetas shqiptarë. Prej tyre, 389 (49%) ishin kthime të detyrueshme dhe 406 (51%) ishin kthime vullnetare. Këto operacione pritet të intensifikohen më tej në muajt në vijim”, thuhet më tej në deklaratën e Qeverisë Britanike.