Vetëdorëzohet personi që vrau Stiven Toshkesin, policia: Ndodhi pas negociatave të vazhdueshme me familjarët

Aktualitet

Publikuar: 20/04/2023

Vetëdorëzohet personi që vrau Stiven Toshkesin, policia: Ndodhi pas negociatave të vazhdueshme me familjarët

TIRANË– Axel Hoxhaj, personi që vrau Stiven Toshkësin pas sherri për të dashurën e këtij të fundit është vetëdorëzuar në polici. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se dorëzimi i Hoxhaj para autoriteteve është bërë pas negociatave me familjarët e tij. Pas hekurave ndodhet edhe Ensi Manze, shoku i Hoxhajt që mori pjesë si bashkëpunëtor në masakrimin e të riut në orët e vona, kur sapo kishte hyrë data 18 prill.

Si ndodhi vrasja?

Stiven po kthehej në shtëpi me makinën e tij dhe në rrugë përballet me Axel Hoxhajn dhe Ensi Manzen. Siç u pa dhe në pamjet e publikuara, Hoxhaj shkon menjëherë nga ana e shoferit dhe përleshet me Toshkësin, të cilin e qëllon me një hanxhar, ndërsa Manze mban derën e pasagjerit në mënyrë që të pengonte që shoku i të riut të dilte nga mjeti për ta ndihmuar. Por, ai del dhe përleshet me Manzen. Më pas shkon të ndihmojë shokun e tij, por ishte shumë vonë. Hoxhaj e kishte qëlluar të riun me hanxhar dhe Stiveni po përpiqej të mbijetonte.

Manze pas krimit është fshehur për disa minuta tek kodrat e liqenit artificial dhe më pas ka telefonuar babain për t’i treguar çfarë ka ndodhur. Ai do të dalë nesër para gjykatës penale tiranë për tu njohur me kërkesën e prokurorisë atë të arrestit në burg.

Njoftimi i policisë Tiranë: 

Vetëdorëzohet autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur me datë 18.04.2023, ku humbi jetën shtetasi S. T. Si rezultat i presionit të kontrolleve të pandërprera nga shërbimet e Policisë dhe falë negociatave të vazhdueshme me familjarët, ditën e sotme, në DVP Tiranë, është vetëdorëzuar shtetasi A. H., 18 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, më datë 18.04.2023, rreth orës 00:15, në rrugën “Skënder Sallaku”, në bashkëpunim me shtetasin E. M., 18 vjeç, (arrestuar disa orë pas ngjarjes), kanë goditur me mjet prerës shtetasin S. T., 20 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale