Gjykata e Tiranës ka caktuar ditën e sotme masën “arrest me burg” për 31-vjeçarin Gleard Gusholli, i cili u arrestua për dhunë dhe pengmarrje të së dashurës së tij.
Për kunatin dhe tre shokët e tij, më konkretisht shtetasit Bledi Kateshi, Erlin Kateshi, Besmir Nurçellari dhe Arjan Sheta, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi, akuzohen se ndihmuan autorin të largohej nga vendi i ngjarjes. Ndërsa Arjan Sheta dhe Besmir Nurçellari akuzohen për moskallëzim krimi dhe fshehje të provave.
Gjatë seancës së sotme, avokatët e 31-vjeçarit kanë kërkuar masë më të lehtë sigurie ndaj klientit të tyre, me pretndimin se Gleard Gusholli në një periudhë prej 6 muajsh, konsumonte rregullisht antidepresantë gjë që sipas tyre ka bërë që mos të ketë qenë i kthjellët në veprimet që ka kryer ndaj të dashurës së tij.
Një tjetër pretendim që kanë ngritur avokatët ka qenë dhuna e dyanshme, pra mbrojtja e Glerad Gushollit pretendon se edhe vajza e ka dhunuar 31-vjeçarin pasi të dy kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
Gleard Gusholli u arrestua dy ditë më parë pasi kishte torturuar dhe mbajtur peng për një javë bashkëjetuesen e tij, 28-vjeçe.
Kjo e fundit deklaroi dje për mediat se kishte tentuar disa herë vetëvrasjen por ai nuk e kishte lejuar duke dashur që të vuante nga goditjet me shqelma, grushte dhe me këmbën e karriges apo edhe çarje me thikë. Sipas saj, ai i ka bërë dhe presion se do i vriste prindërit në Gjermani apo se do i publikonte fotot e saj nudo në internet.
Në dëshminë e saj, 28-vjeçarja pranoi se kishte konsumuar lëndë narkotike kokainë, por me detyrim dhe presion nga 31-vjeçari.