TIRANË– Vajza e cila u dhunua për 1 javë nga partneri, Gleard Gusholli ka dhënë dëshminë e saj nga Spitali i Traumës. E reja ka folur për ‘News24’ duke treguar se partneri e ka dhunuar me shkelma, grushta dhe këmbë karrigeje. Po ashtu, ajo ka zbuluar se nga dhuna ka tentuar edhe të hidhet nga kati i pestë i pallatit.
“Glearti me ka dhunuar me këmbë karrigeje, me godiste me shkelma dhe grushte. Kam tentuar të hidhem nga i pestë nga dhuna. Më kërcënonte me video intime. Më fajësonte se nuk ikte dot në Gjermani”, ka thënë e reja.
Avokati mbrojtës i saj Enea Cenko ka kërkuar mbrojtje për klienten e tij.
“Drejtësia të flasë për rastin, kërkojmë mbrojtje dhe siguri për jetën e vajzës”.
28-vjeçarja iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale pas dhunës barbare të Gleard Gushollit. 31-vjeçari e mbajti të mbyllur dhe dhunoi barbarisht një javë me radhë bashkëjetuesen e tij 28 vjeçare, e cila u rikthye në banesë më 1 Prill. Po ashtu, Policia ka vënë në pranga edhe 4 miqtë e Gushollit të cilët nuk kallëzuan krimin dhe e larguan atë nga vendi i ngjarjes. Bëhet fjalë për: Besmir Nurçellari, Arjan Sheta, Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi.
Deri më tani, dyshohet se shkak për ngjarjen e rëndë u bë xhelozia. 31-vjeçari Gusholli ka thënë se dhunën e ka ushtruar pasi dyshonte se e reja e tradhtonte.