Motra e Izet Haxhisë, Ilmija ka treguar komunikimin e parë që ka pasur me të vëllanë, të cilin pretendon se kanë dashur që ta helmojnë teksa ndodhej në burgun e Reçit. Në një intervistë të dhënë për emisionin “Shqipëria Live”, Ilmija ka treguar se kurrë nuk i ka dërguar ilaçe të vëllait në burg, por shtoi se fatmirësisht ai ka mbaruar shkollën e mjekësisë dhe i ka lexuar pa i konsumuar. Sipas saj, ilaçet ishin për depresion.
“Me datën 10 Izeti më mori në telefon dhe ishte i shqetësuar. E pyeta si është me shëndet? Më tha që i kishin sjellë ilaçe nga jashtë. Më thanë se t’i ka sjellë motra. I ka lexuar se për çfarë janë se ka mbaruar edhe shkollën e mjekësisë. Më tha se ishin ilaçe për depresionin. Për të kaluar në çmenduri. Ai nuk ka pasur nevojë për qetësuese. Kur ka këmbëngulur, i kanë thënë që i kemi sjellë gabim. Ia kanë dërguar ilaçet pa i thënë asgjë. Ia kanë çuar direkt dhe i kanë thënë t’i ka sjellë një famijar. Unë po t’i kishte dërguar ilaçe do i kisha çuar edhe ushqime. Ai e ka emrin Izet Haxhia dhe jo Izet A., që ta ngatërronin. U shqetësova shumë, por edhe ai shqetësua. Izeti mendon se është një tentativë për t’i bërë keq,”-tha në fjalën e saj, motra e Haxhisë.
Çfarë u tha nga avokati?
Avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, deklaroi se klienti i tij është tentuar që të helmohet në burgun e Reçit. Haxhiu pretendon se punonjës të burgut të Reçit i kanë dërguar në qelinë e izolimit, Haxhisë një qese me ilaçe dhe i kanë thënë që ia kanë dërguar familjarët. Më pas, drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u tha se e gjitha ishte një ngatërresë, pasi pakoja ishte për “Izet A.”.
Izet Haxhia është dënuar me 21 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit. Haxhia u arrestua në Turqi në vitin 2006, pasi ishte në listën e të kërkuarve të Interpol Tiranës por më pas kërkoi strehim politik në Turqi, me argumentin se i rrezikohej jeta. Ndërsa në 2018 Gjykata e Lartë Turke aprovoi ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, duke nisur kështu edhe betejën me drejtësinë shqiptare për Haxhinë, i cili kërkoi edhe dëshminë e Sali Berishës dhe të ish-truprojës së Azem Hajdarit, por asnjë prej tyre nuk u mor parasysh nga gjyqtarët e çështjes. Për vrasjen u dënua dhe vëllai i Izetit, Ismet Haxhia me 20 vite heqje lirie, por tani e ka kryer dënimin dhe i është rikthyer jetës normale. Ndërsa bashkëpunëtori tjetër Jaho Salihi (Mulosmani) është dënuar me burg përjetë.