Dikur shembte kisha e xhami, sot Tritan Shehu uron Pashkët në gjuhë të ndryshme

Aktualitet

Publikuar: 09/04/2023

Dikur shembte kisha e xhami, sot Tritan Shehu uron Pashkët në gjuhë të ndryshme

Këtë të diel Pashkësh, teksa hidhnim sytë nëpër rrjetet sociale, pamë urimet e shumë politikanëve që nuk lënë festë fetare pa uruar, për t’u dukur sa më të përshpirtshëm.

Por urimi që më bëri shumë përshtypje ishte i Tritan Shehut. Duket sikur kishte kohë që priste Pashkët dhe më në fund i erdhi dita të uronte.

E niste me kënaqësi urimin në gjuhën shqipe, më pas sipas latinit dhe për të qenë në rregull me SHBA-të, uronte edhe në anglisht. Kuptohet, bëri qokën andej nga Gjirokastra, ku duhet të darovisë katolikët e zonës së tij dhe pastaj, siç e do zakoni, e mbyll me frazën e famshme që duhet punuar (thonë gjithmonë ata që rrinë të bëjnë sehir, teksa të tjerët punojnë):

‘Është kënaqësi e veçantë të uroj:

Gëzuar Pashkët!

Tanti auguri, Buona Pasqua!

Happy Easter!

Uroj besimtarët katolikë!

Uroj miqtë e mi!

Uroj banorët e Qarkut të Gjirokastres!

Uroj të gjithë!

Të punojmë e shpresojmë për më mirë!

Urimet më të mira!’, përfundon postimi që, të krijon idenë se politikani i famshëm do të tregojë se i di nja dy gjuhë të huaja.

Por hileja qenka gjetkë! Këto urime të përzemërta që të këpusin shpirtin, duket se janë për të mbuluar të shkuarën ‘e zezë’ dhe mbase për t’i kërkuar ndjesë këtyre besimtarëve që sot po i uron.

Ndjesë, sepse, në vitin e ‘mbrapshtë’ 1967, ‘i përshpirtshmi’ Tritan Shehu kontribuoi në prishjen pa mëshirë të kishave e xhamive. E si për t’i treguar partisë që e kreu detyrën, i fut edhe një foto me liderët e kohës, si një komunist i mirë.

Kjo foto, për fatin e tij të keq, ra në dorë të ‘Pamfleti’-t dhe në të shkruhet:

‘Tritan Shehu mes Enver Hoxhes dhe Ramiz Alisë pas aksionit për prishjen e Kishave dhe xhamive në vitin 1967.’

Ndaj, këtë urimin e zjarrtë të sotëm e kuptoj dhe e besoj për dy arsye: O është zëri i ndërgjegjes, ose urimi është tipik i një politikani. E politikan i mirë, sidomos në Shqipëri, është ai që di ta ‘dredhë’. /Pamfleti