Vlora Hyseni do të jetë drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit. Shqiptarja e Kosovës ka marrë “bekimin” e presidentit Bajram Begaj, për të drejtuar institucionin më të lartë të inteligjencës në vendin tonë, pas propozimit të bërë nga Edi Rama.
Hyseni ka mbajtur për 4 muaj postin e zv/drejtoreshës së Agjencisë së Inteligjencës në Kosovë, një institucion homolog me Shërbimin Informativ të Shtetit në Shqipëri. Ajo u shkarkua gati dy vite më parë, më 31 qershor 2021.
Ndërkohë, vetëm një vit më parë Vlora Hyseni është emëruar këshilltare e kryeministrit Edi Rama.
Nga informacionet e pakta që dihen për të, Vlora Hyseni përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo flet disa gjuhë të huaja dhe një ndër detyrat që duhet të zbatojë në SHISH, është reformimi i plotë i këtij institucioni.
Për herë të parë, një grua do të drejtojë shërbimin inteligjent, e për më tepër, ajo është shqiptare e Kosovës. Nga institucionet homologe, Vlora Hyseni është cilësuar shpesh dhe si truri i inteligjencës kosovare, për sa kohë qëndroi në këtë post.
Figura e Vlora Hysenit, edhe më herët, kur ajo ishte në strukturat e larta drejtuese të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve ndërkombëtarë që monitoronin çështjet e sigurisë në Kosovë. Ajo është konsideruar si njohëse e shkëlqyer e çështjeve të sigurisë, në të njëjtën kohë edhe e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në periudhën e shkurtër kur ajo drejtoi inteligjencën e Kosovës, u thelluan prioritetet e kohës, sidomos veprimet ndaj lëvizjeve ekstreme të religjioneve me theks në ekstremizmin e shfaqur në disa rajone të veçanta të vendit. U ndërtua gjithashtu një strategji më e detajuar ndaj prirjeve të forcave ekstremiste serbe në veriun e Kosovës dhe jashtë territorit të saj, si dhe pati rritje të dukshme të bashkëpunimit mes SHISH dhe AKI-së.