Mësohet se shënjestër atentatit të sotëm me eksploziv në Shkozet ka qenë Aldi Mustafa, 37-vjeç.
Makina e tij ka shpërthyer në lëvizje, teksa fatmirësisht, 37-vjeçari i cili ishte në drejtimin e mjetit ka shpëtuar pa lëndime. Mjeti i Aldi Mustafës që është hedhur në erë ka qenë një “Golf 6” ngjyrë e zezë dhe lënda plasëse ishte vendosur në gomën e pasme të mjetit, në krahun e pasagjerit.
Aldi Mustafa nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, me 10 vite burg, në Gjermani.
Mësohet se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa kohët e fundit ka pasur lidhje me “Rrumin”, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Mustafa është shok i Alekasandër Lahos, ose ndryshe Pëllumb Muharremit, i njohur si i ‘Forti i Shijakut’, i cili i shpëtoi atentatit që iu bë makinës së ish-prokurorit.
Në vitin 2021, Aldi Mustafa u arrestua nga Policia së bashku me dy persona të tjerë, pasi dyshohej se do të kryenin një vrasje.