Gjurma që lanë autorët e sulmit terrorist ndaj Top Channel, policia ngushton pistat e hetimit

Krim & Korrupsion

Publikuar: 29/03/2023

Gjurma që lanë autorët e sulmit terrorist ndaj Top Channel, policia ngushton pistat e hetimit

Kur kanë kaluar 24 orë që kur policia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve një numër telefoni për të dhënë informacion të vlefshëm për autorët e sulmit terrorist ndaj Top Channel, me premtimin e dhënies së 100 mijë eurosh dhe anonimitet të plotë, në këtë numrin e telefonit kanë ardhur disa informacione që po verifikohen nga grupe të veçantë pune.

Punonjësit e policisë po verifikojnë në terren kamera sigurie në Tiranë dhe jo vetëm si edhe targa makinash që dyshohet se janë përdorur nga autorët.

Pavarësisht këtyre kërkimeve, policia nuk ka në dorë ndonjë të dhënë të besueshme që mund t’i çojë tek atentatorët por hetimi vijon. Grupi hetimor është i bindur se atentati terrorist është i mirëmenduar dhe autorët kanë vëzhguar ambientet e Top Channel për të vepruar në një moment të favorshëm.

I dyshimtë mbetet fakti që autorët zgjodhën të braktisin makinën në autostradë. Me dyshimet se mjeti ka pasur defekt policia ka nisur verifikimet në shume servise në kryeqytet, Elbasan, Durrës krujë dhe qytete të tjera.

Nga ana tjetër policia po ngushton pistat e hetimit të ngritura ditën e parë të sulmit pasi disa kanë rënë sepse nuk është gjetur asgjë e vlefshme që të mund të çojë hetimin në një tjetër nivel.

Prova më e rëndësishme është gjetur në një gëzhojë, të sekuestruar brenda në automjet. Një provë ADN-je, që grupi hetimit ka shpresë se do të shkojë drejt autorëve, të cilët qëlluan me armë zjarri duke gdhirë dita e hënë.

Kjo provë ADN do t’i nënshtrohet metodës së krahasimit me 6 oficerë policore që morën pjesë në kqyrjen e vendngjarjes  dhe mbas përjashtimit kjo provë do ti dërgohet Europol me seli në Lion, ku do të krahasohet me provat e  tjera të ADN të arshivuara nga policët europianë.

Një metodë e tillë krahasimi është përdorur për zbardhjen e një krimi të rëndë, sikurse është vrasja e Artan Cukut.

Ishte një provë ADN e konstatuar në veshjen e përdorur nga vrasësi që më pas ju shpërnda Europol përmes të cilës u konfirmua se policia e kishte proceduar Mikel SHallarin për ngjarje të mëparshme.