Procedura që po ndjekin dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai në hetimin e Arben Ahmetajt nuk është e njëjtë me atë që ndoqën dy prokurorët, Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi për pjesën tjetër të të akuzuarve në këtë dosje.
Ndërsa Dumani dhe Millonai po hetojnë sipas parimit të ‘ndiq paratë’, duke kontrolluar pasuritë e të afërmeve të Arben Ahmetajt, e duke sekuestruar vilën në emër të ish-bashkëshortes së tij, Albina Mançka në Palasë, por pa e arrestuar atë, kolegët e tyre Braho dhe Nakuçi nuk bënë të njëjtën gjë.
Ata shmangën pjesën e kontrolleve, marrjes në pyetje e verifikimeve të tjera proceduriale dhe nxorrën mbi bazën e dokumentacioneve të siguruara urdhër-arrestet për 36 personave të tjerë të akuzuar për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.
Ngutja argumentohej në atë kohë si lëvizje për të shmangur mundësinë që të akuzuarit të prishin provat, apo të arratiseshin. Por, po kjo ngutje ka nxitur kritikat se dosja në fjalë është hetuar në mënyrë sipërfaqësore nga dy prokurorët, me akuza absurde ndaj të ndaluarve.
Si shembull, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka nxjerrë rastin e Arben Dervishit, që akuzohet për shpërdorim detyre, një akuzë që ngrihet ekskluzivisht për persona që kanë mbajtur, apo kanë një post shtetëror e publik. Dervishi s’e ka pasur këtë.
Por, a ka qenë i qëllimshëm hetimi sipërfaqësor i dosjes për të shpëtuar nga hetimi përgjegjësit e vërtetë të shkeljeve? Kallëzimi penal ndaj dy prokurorëve të SPAK, që pasoi dorëheqjn e Klodian Brahos nga dosja 277 fraksion 1 sugjeron që po.