Prapaskena

Aktualitet

Dosja e 119 kg kokainë tek “Bana King” drejt mbylljes, lirohet nga burgu Marson Murataj dhe një nga shoferët

Publikuar: 20/03/2023

Gjykata e Tiranës, ka liruar nga qelia Marson Murataj, menaxherin e kompanisë “Bana King”, i arrestuar një vit më parë për prezencën e një sasie prej 119 kg kokainë në kontinjerin e ngarkuar me banane.

Lirimi i nipit të Trifon Murataj, është bërë pak kohë më parë, me pretendimin se ndaj tij përgjatë 1 vit hetime nuk janë gjetur prova që e implikojnë në trafikun e drogës nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë.

Sipas gjykatës, Marson Murataj që në fillim kur është njohur me rastin ka mbajtur qëndrim bashkëpunues me autoritetet policore dhe për pasojë, trupi gjykues dhe vetë prokuroria kanë mbajtur qëndrim për zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim për paraqitje”.

Zëvendësimi i masës së sigurisë ka sjellë dhe lirimin e Murataj nga qelia.

Ora News mëson se nga burgu ka dalë dhe njëri nga shoferët e arrestuar të kompanisë “Bana King”. Gëzim Kalaja, ka përfituar lirinë me të njëjtin pretendim, me të cilin është liruar dhe Marson Murataj.

Tashmë i vetmi që po vijon të qëndrojë në burg është shoferi tjetër i kësaj kompanie, Hasan Salihu. Ndaj këtij të fundit është ngritur akuza e “Trafikut të narkotikëve” dhe pritet në vijim që ai të meret i pandehur.

Ndërsa për Marson Murataj dhe Gëzim Kalanë, prokuroria e Tiranës do procedojë me pushimin e akuzave. Rasti i trafikimit të 119 kg kokainë u denoncua pas 24 orëve nga vetë Trifon Murataj.

Hetimet paraprake i zhvilloi prokuroria e Tiranës, ku çështjen më pas ja kaloi për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK.

Por kjo e fundit vendosi të kthejë sërisht materialin hetimor në prokurorinë e Tiranës, duke mos pranuar ta hetojë për grup të strukturuar kriminal.

Por teksa në prokurorinë e Tiranës zhvilloheshin hetime për rastin e parë të kapjes së kokainës, në muajin nëntor 2022 regjistrohet në Durrës një rast i dytë i trafikut të drogës, brenda kontinjerëve të kompanisë “Bana King”.

Sasia prej 33 kg kokainë u sekuestrua brenda kutive të bananeve. Ndërsa për këtë rast prokuroria e Durrësit urdhëroi arrestimin Petrit Demishaj, Alban Naziraj dhe shpalli në kërkim biznesmenin Trifon Murataj.

Pavarësisht dy episodeve të trafikimit të drogës dhe arrestimin e dy personave, prokuroria e Tiranës dhe ajo e Durrësit, nuk kanë marë asnjë masë sekuestrimi ndaj kompanisë “Bana King”.

Ndryshe nga dy kompanitë “Alba Exotik Fruits” dhe “Masabi Fruits”, kompania e bananeve që administrohet nga personi në kërkim Trifon Murataj, vijon të ushtrojë aktivitet tregtar pa pasur asnjë problem me drejtësinë



Më të lexuarat