Ligjvënësit në Gjeorgji u përleshën brenda parlamentit ndërsa komisioni parlamentar po debatonte për një ligj të diskutueshëm për “agjentët e huaj” që kritikët thonë se është modeluar sipas legjislacionit drakonian në fuqi në Rusi.
Videot e transmetuara nga brenda parlamentit në Tbilisi, kryeqyteti i Gjeorgjisë tregojnë konfliktin e dhunshëm midis ligjvënësve. Në video shihet kryetari i komitetit të çështjeve ligjore, i cili goditi liderin e partisë opozitare Lëvizja e Bashkuar Kombëtare.
Koalicioni qeverisës i kryesuar nga partia “Ëndrra Gjeorgjiane” njoftoi muajin e kaluar se mbështet projektligjin, i cili gjithashtu do të duhet të kalojë nëpër faza të tjera miratimi.
Ligji do t’u kërkonte organizatave që marrin të paktën 20% të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të huaj” dhe t’i vendosin ata nën mbikëqyrje nga Departamenti i Drejtësisë ose do të përballen me gjoba të rënda.
Kritikët e ligjit e krahasojnë atë me një ligj rus të vitit 2012, i cili po përdoret për të goditur nismat e shoqërisë civile dhe mediat e pavarura në Rusi. Ata thonë se ligji sinjalizon një zhvendosje drejt totalitarizmit.