Pas shumë vitesh aktivitet kriminal, Çapjat po marrin goditje nga drejtësia. SPAK ka kërkuar disa ditë më parë dënimin me burg të përjetshëm për Ardian Çapjan dhe 25 vite për Florenc Çapjan, të akuzuar për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit, ngjarje e ndodhur në 2012.
SPAK ka dhënë pretencën edhe për pjesëtarët e tjerë të grupit që u përfshinë në vrasjen e babë e bir në Elbasan 18 vite më parë.
Më konkretisht, SPAK ka kërkuar burg përjetë edhe për Olsi Leku, ekzekutuesin e planit, 20 vjet burg për Klajdi Dokolin dhe Etien Cani.
Ervis Bardhi, i cili ka qenë ai që zbardhi të gjithë ngjarjen dhe u bë bashkëpunëtor i drejtësisë është “falur” nga SPAK, që për të kërkon vetëm 6 vite burg.
Ervis Bardhi i fundosi Çapjat me dëshminë e tij. Ai tregoi me detaje për SPAP rreth krimeve, urdhrave për të vrarë, pagesave, organizimit etj.
Bardhi u zbulua nga një gjurmë gishti në targën e makinës së djegur. Bardhi fillimisht mbylli gojën, por më pas nisi të rrëfente.
Ai sqaroi edhe marrjen e porosisë për ekzekutimin e babë e bir nga Ardian e Florenc Çapja, i cili e donte të vdekur Gentian Beqirin, pasi kishte marrë pjesë në vrasjen e Sokol Çapjat në 2005.
Bardhi tha se ka pasur tre takime me Florenc dhe Ardian Çapjen. Ervis Bardhi ka theksuar se Etjen Canin dhe Olsi Lekun i ka njohur pasi i kishte çuna të lagjes. Ndërsa për Gentian Beqirin e ka njohur gjatë kohës kur ai ishte arrestuar në 2010 kur ishte duke shlyer dënimin me 8 muaj burg për armë mbajte pa leje.
I penduari thekson se nuk e njihte nga afër Gentianin, por që e ka takuar nëpërmjet personave të tjerë që ndodheshin në burgun e Peqinit. Bardhi ka pohuar se krimin e ka bërë për para.
Ai ka treguar se çdo gjë që ka ndodhur në ditën e ngjarjes. Bardhi tha para togave të zeza se së bashku me Olsi Lekun kishin konsumuar kokainë dhe alkool ditën e ngjarjes.
Në momentin që ka hapur zjarr në ambientet e banesës së Gentianit, plumbi i parë e ka kapur në faqe.
Më pas arma i është bllokuar dhe në panik e ka tërhequr këmbëzën sërish duke e qëlluar 3 herë.
Ndërkohë Olsi Leku që e shoqëronte, pasi ka goditur të atin e Gentianit, i ka marrë frymën atij me jastëk.
Rrëfimi i Ervis Bardhit
Ditën e ngjarjes, kur kemi bërë krimin Etien Cani, ka qënë me detyrë vëzhgues, ndërsa unë dhe Olsi Leku, do hynim në banesë dhe të vrisnim Gentian Beqirin. Porosia është dhënë nga Çapjat.
Etien Cani, ka parë nënën e Gentianit të zbresë nga pallati dhe të shkojë për Pazar. Mandej na ka informuar se janë larguar dhe dy policët nga hyrja e pallatit dhe kanë hyrë në makinë.
Menjëherë unë dhe Olsi Leku, kemi hyrë në hyrjen e pallatit dhe me shpejtësi jemi ngjitur lart në katin e pestë.
Në derë kam trokitur unë dhe kam qëndruar para syrit optik të derës, pasi babai Gentianit, Neziri, më njihte dhe ma kishte hapur disa herë portën e shtëpisë, pasi i kisha vizituar edhe disa herë të tjera. Vizitat në shtëpi i kryeja, për të shoqëruar me muhabet Gentian Beqirin, pasi me të isha shok dhe e vizitojë në banesë kur ishte me arrest shtëpie.
Kur unë kam qëndruar para syrit optik, Olsi Leku, ka qëndruar disa shkallë më poshtë në mënyrë që të mos dukej nga brenda derës, pasi do krijonte dyshim dhe nuk do e hapnin derën.
Sapo Neziri, ka hapur derën nga brenda dhe më ka thënë “…Mirmëngjes…”, unë e kam shtyrë me forcë dhe jam drejtuar në dhomën ku qëndronte Gentian Beqiri. Ky i fundit ishte i shtrirë dhe në gjumë.
E kam goditur me pistoletë në kokë, armë të cilën ma ka dhënë Olsi Leku. Ndërsa pas meje ka hyrë në banesë dhe Olsi Leku, i cili duke parë që ka filluar të bërtasë babai i Gentianit, ai e ka rrahur me grushta e shkelma në korridorin e apartamentit, duke e lënë të shtrirë Nezir Beqirin.
Por Neziri, vetëm ulëriste dhe Olsi Leku, ka hyrë në një nga dhomat ka marë një jastës dhe ja ka vendosur në fytyrë, duke ja mbajtur të shtrënguar, derisa Nezir Beqiri, nuk ka lëvizur më…
Ardiani me tha kush shkon atje lart tek Gent Beqiri do vritet. E pranova ta vrisja me Olsi Lekun vetëm për leket. S’kisha asnjë konflikt me Beqirin.
Në rrëfimin e tij, bashkëpunëtori i prokurorisë Bardhi tregon se “…gjatë viteve 2010-2011, kam pasur lidhje dashurie me A.Bardhi, të cilën aktualisht e kam bashkëshorte dhe nga martesa kemi 1 fëmijë. Në vitin 2010, unë kam pasur lidhje shoqërore me Etjen Canin dhe gjatë kësaj periudhe kemi ndenjur së bashku në ambiente të ndryshme të qytetit të Elbasanit, kryesisht në kafenetë e lagjes tonë, lagjia “Çlirimi” në Elbasan…”.
Më pas, Ervis Bardhi tregon se: “…në datën 11 shtator 2010, rreth orëve të para të mëngjesit, unë jam telefonuar nga Etjen Cani dhe jemi takuar në kafe. Gjatë bisedës tonë, Etjeni më ka thënë mua një shqetësim që kishte, lidhur me personin, Ardit Sula, duke pretenduar se ky, i ka ngacmuar të dashurën….”.
Nga ana e Etjenit, i është dhënë Ervisit numri i telefonit të Arditit dhe Ervisi, ka komunikuar me Arditin duke bërë debat në telefon. Pas këtij debati, Ervis Bardhi dhe Etjen Cani, kanë marrë një taksi dhe kanë shkuar tek vendi ku Arditi punonte si berber, në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Dinamos”, në qytetin e Elbasanit.
Pasi kanë shkuar atje, Ervisi dhe Etjeni kanë debatuar me Ardit Sulën dhe në grindje e sipër, Ervis Bardhi, ka nxjerrë nga brezi një armë pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të Ardit Sula, por pa mundur ta dëmtojë atë.
Pas qëlloi berberin me armë, Ervis Bardhi dhe Etjen Cani, janë larguar nga vendi i krimit dhe nga ana e policisë janë kryer veprimet e para në vendin e ngjarjes. Pas shpalljes në kërkim, Ervis Bardhi dhe Etjen Cani, kanë shkuar në qytetin e Tiranës.
Në qytetin e Tiranës, ata janë takuar me kushëririn e Etjenit, Olsi Leku, edhe ky banor i qytetit të Elbasanit, por që gjatë asaj periudhe jetonte herë në qytetin e Tiranës dhe herë në shtetin grek. Etjen Cani me Olsi Leka alias Jorgo Leku, kanë lidhje familjare, pasi babai i Olsi Lekut, është martuar me hallën e Etjen Canit.
Pasi Ervis Bardhi dhe Etjen Cani janë takuar me Olsi Lekën, ky i fundit i ka ndihmuar duke u gjetur shtëpi me qira dhe duke u dhënë para me qëllim që ata t’i fshiheshin policisë, e cila i kërkonte në lidhje me ngjarjen e datës 12 shtator 2010, ku kishin qëlluar me armë berberin Ardit Sula.
Teksa kanë ndenjur së bashku herë në qytetin e Tiranës dhe herë në qytetin e Durrësit nëpër shtëpi të ndryshme, personi që i ndihmonte ishte Olsi Leku. “…teksa rrinim në arrati, kemi diskutuar me Etjenin dhe Olsi Lekun se goditjen me armë ndaj Ardit Sulës ta merrja unë përsipër, pasi do rregulloheshin gjërat. Etjen Cani, në lidhje me këtë ngjarje, nuk është proceduar dhe çështja në ngarkim të tij është pushuar nga prokuroria. Ndërkohë unë në datën 2 shkurt 2011, jam vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Elbasan, pasi gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë…”-thotë dëshmitari i prokurorisë.
Pas dorëzimit pranë organeve të drejtësisë, në 11 shkurt 2011, Ervis Bardhi tregon se është dënuar nga gjykata e Elbasanit me 8 muaj burgim, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”. Nisur nga ky fakt, Ervis Bardhi, është dërguar në IEVP-në Peqin, me qëllim vuajtjen e këtij dënimi. “…në dhomat e paraburgimit unë kam qëndruar rreth 5 muaj, duke përfunduar dënimin e dhënë nga gjykata…” – tregon Bardhi.
Pas përfundimit të dënimit, unë së bashku me A. Bardhin kemi filluar të jetojmë herë në qytetin e Elbasanit, në banesën e A. Bardhi, dhe herë në qytetin e Tiranës, ku edhe merrnim shtëpi me qira. “…gjatë kësaj kohe, unë kam filluar të qëndroj në shoqërinë e Olsi Lekës alias Jorgo Leku, i cili ishte i martuar me E. Leku, familja e së cilës banonte në qytetin e Tiranës, në zonën e ish-Kombinatit të Tekstileve.
Unë së bashku me Jorgo Lekun, kemi filluar të merreshim me aktivitetin e kundërligjshëm të transportit të lëndëve narkotike, të cilën e siguronim në qytetin e Gjirokastrës, pasi Olsi Leku kishte lidhje me persona të ndryshëm, për shkak se nëna e tij ishte me origjinë nga ky qytet. Në shumë raste kam shërbyer si transportues i drogës, ku në Kavajë më kanë arrestuar disa vite më parë policia me një sasi prej gati 300 kg hashash dhe jam dënuar me 6 vjet burgim. Arrestimi im ka ndodhur pas vrasjes së kemi bërë në Elbasan të Gentian dhe Nezir Beqirit…”-ka treguar Bardhi.
Njohja me Gentjan Beqirin dhe vizitat brenda në banesë
Gjatë kohës që Ervis Bardhi ka qëndruar duke vuajtur dënimin në burgun e Peqinit, aty ka njohur dhe Gentjan Beqirin, pasi qelitë e tyre në sektorin e paraburgimit ishin ngjitur me njëra-tjetrën. Sipas Bardhit, kur ka dalë nga burgu ka vijuar të mbajë kontakte me, Etjen Canin. Bardhi ka treguar në polici se Cani është banor i lagjes “Çlirimi” të qytetit të Elbasanit, dhe shpesh herë qëndronte në lokalin e L. Skilja dhe mes tyre është krijuar shoqëri, pa pasur parasysh moshën, pasi L. Skilja ishte shumë më i madh në moshë. Ky i fundit ka pasur njohje me Ardian Metën alias Gentjan Beqiri. Pas daljes nga burgu të Gentian Beqirit, L. Skilja, ka shkuar në banesën e këtij të fundit dhe e ka takuar.
Në një nga këto takime, L. Skilja, ka marrë me vete edhe Etjen Canin. L. Skilja, e ka prezantuar Etjen Canin dhe më pas, ky i fundit ka filluar të shkojë vetë në banesën e Gentjan Beqirit, duke i bërë shoqëri. Me kalimin e kohës, Etjen Cani, ka filluar të shkojë shpesh në banesën e Gentjan Beqirit, me të cilin ai qëndronte për kohë të gjatë dhe kanë lidhur shumë shoqëri midis tyre.
Gjatë kohës që Etjen Cani shkonte te banesa e Gentjan Beqirit, ai merrte me vete dhe një shoqe të tij, duke qëndruar me të në banesë. Po kështu, Etjen Cani hynte dhe dilte në banesën e Beqirit, pa u shqetësuar nga ana e punonjësve të policisë, të cilët e ruanin jashtë shtëpisë. Disa muaj përpara vrasjes së Gentjan Beqirit, Etjen Cani, gjatë kohës që ka qenë duke pirë kafe me Ervis Bardhin, i ka thënë këtij të fundit që të shkonin së bashku në banesën e Gentjanit, pasi gjatë kohës që Ervis Bardhi, kishte qenë i paraburgosur në IEVP-në Peqin, kishte ndenjur në një nga dhomat ngjitur me dhomën ku qëndronte Gentjan Beqiri, i cili në atë kohë ishte i paraburgosur për shkak se Gjykata e Apelit, kishte kthyer për rigjykim çështjen në ngarkim të tij, ku akuzohej për vrasjen e Sokol Çapjas.
Më pas, Etjen Cani dhe Ervis Bardhi, kanë filluar që të shkojnë shpesh në banesën e Gentjan Beqirit, duke i bërë shoqëri. Në këtë periudhë Ervis Bardhi, jetonte në banesën e bashkëshortes së tij, A. Bardhi dhe gjatë kësaj kohe ai takohej edhe me Olsi Leka alias Jorgo Leku.
Me të kishte biseduar edhe në lidhje me takimet që ai kishte me Ardian Meta alias Gentjan Beqiri në banesën e tij, ku i përgjigjej pyetjeve që i bënte herë pas here Olsi Leku.