Një atentat mafioz është mundur të parandalohet ditën e sotme në qytetin e Elbasanit nga policia e këtij qyteti, e cila njofton se falë inteligjencës informative është bërë e mundur shmangia e ngjarjes së rëndë kriminale.
Afër shtëpisë së Erion Alibej është gjetur një “BMW X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë).
Ndërkohë që pak më tutje, në vijim të kontrolleve, në afërsi të një koshi mbeturinash, është gjetur dhe një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.
Erion Alibej, i arrestuar tashmë nga policia, i akuzuar për disa krime, ka dhënë deklarime për një seri ngjarjesh kriminale duke shprehur se do të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
SPAK nuk i ka dhënë ende statusin e të penduarit pasi po verifikon vërtetësinë e thënieve.
Erion Alibej zyrtarisht është akuzuar si porositësi i dy vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, per te cilat ka folur edhe Dumani.
Ka dyshime të forta se atentati mund të jetë përgatitut nga njerëzit e Erion Alibejt, për të goditur kapobandën Talo Çela dhe Otin e Elbasanit.
Disa muaj më parë, Luis Gaxhi alias “Isai” dhe Rigers Spahiun, kishin mbushur çatinë e shtëpisë me armë. Ata u mbyllën në burg.
Luis Gaxhi ka lidhje shoqërore me interes me Rigers Spahiun dhe Arben Spahiun.
Rigers Spahiu, është vëllai i Arjan Spahiut të vrarë në Belgjikë, i cili sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ishte financues dhe urdhërues i disa vrasjeve në Elbasan,Durrës dhe Kavajë.
Ditët e fundit Luisi, ka përdorur automjetin e shtetasit Rigers Spahiu tip benz ngjyrë gri me targa AB062FM. Dhe nga informacionet e siguruara dyshohet se armët dhe municioni i gjetur i përket shtetasve Rigers dhe Arben Spahiu, të cilët po përgatiten të kryejnë një ngjarje kriminale me motiv hakmarrje ndaj vrasjes së vëllait të tyrë Ardit alias Arjan Spahiu dhe kushuririt të tyre Ibrahim (Everest) Caka.
Njëherësh Arben Spahiu, është kunati i Erion Alibej, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe po hetohet si i dyshuar për organizimin e vrasjes së shtetasve Emiljano Ramazan, Regis Runaj e personave të tjerë.
Po pse në shenjestër mund të jenë Oti dhe Talo Çela?
Ka pasur disa tentativa për të eliminuar biznesmenin Elton Kila (i thirrur Oti).
200 mijë euro ishin ofruar nga Suel Çela për të eliminuar biznesmenin Elton Kila (i thirrur Oti), ngjarje kjo që u tentua të realizohej nga Nuredin Dumani më 29 mars të këtij viti, pikërisht data ku Dumani mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua në qytetin e Fierit.
Oti ka konflikte të vjetra me Alibejtë.
Ndërsa Talo Çela është në hasmëri me Erion Alibej. Talo Çela dyshohet se ka vrarë vëllain e Erion Alibejt, Endrit.
Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibej, i cili mbeti i vrarë në aksin Elbasan-Metalurgji, teksa u qëllua me breshëri.
Të vdekur mbetën daja i tij Arben Dylgjeri dhe Erdal Durunay, shtetas turk, mik i Endritit.
Më pas u vra Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës. Porositësi i kësaj vrasje dyshohet të ketë qenë Erion Alibej.