Ky është Sotir Çabiri, djali i Spiro Çabirit, i cili është vënë në prangat e policisë së Sarandës si autor i shpërthimit me tritol të hotelit ‘Bizanti’ që terrorizoi qytetin bregdetar në orët e para të mëngjesit të së hënës.
36-vjeçari dyshohet se vendosi rreth 30 kg dinamit tek hotel Brilanti në Sarandë, duke e rrafshuar.
Policia ka zbardhur ngjarjen dhe ka sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në momentin e arrestimit.
Ai akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.
Sotir Çabiri i vuri rreth 30 kg tritol godinës duke e rrafshuar tërësisht rreth orës 05:55 ndërsa prej vitit 2002, babai i tij ishte në proces gjyqësor për ndarjen e pronësisë mbi këtë hotel.
Objekti që funksiononte si biznes që prej vitit 2011 i regjistruar në emër të Miranda Çabirit, vajza e Spiro Çabirit, ka pasur një seri të gjatë problemesh pronësie mes bashkëpronarëve të tij.
Godina është pronësuar me ligjin e privatizimit në 1991 dhe është ndërtuar në vitin 1996. Në 2002, fillojnë konfliktet e pronësisë mbi truallin e ndërtimin dhe vlerën e biznesit.
Gjykata i ka njohur shtetasit Dhimitër Evangjeliu 90% të pronësisë dhe ka lënë në favor të dy të tjerëve 10 % e mbetur.
Objekti është vlerësuar me vlerën monetare 920 mijë Euro dhe Evangjeliu detyrohej t’i paguante me një këst dy aksionerëve të tjerë nga 46 mijë euro për 10% të pronësisë, por çështja është kundërshtuar sërish në gjykatë nga Çabiri dhe kalvari i gjyqeve dhe konflikteve vijon prej 21 vitesh.
Vendimi i gjykatës duket se ka revoltuar 36-vjeçarin që e mbushi hotelin me disa kilogramë tritoli dhe e hodhi në erë rreth orës 06:00 të së hënës.
Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli dhe u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit.
Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar.