Zbardhet identiteti i shqiptarit të arrestuar në Ekuador, bashkë me një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës.
Mësohet se bashkë me “Gato Farfán” ose “Jerry”-n, që njihej si trafikanti më i madh referuar drogës që dërgohej në Europë dhe SHBA, është prangosur dhe 37-vjeçari Artur Rrapaj nga Fieri, i cili ishte pjesë e kartelit të vetëquajtur Nueva Generación Ecuador. Ky shtetas ka precedentë penale edhe në Shqipëri.
Arrestimi i tyre u arrit pas 18 muajsh hetime, në një operacion të përbashkët mes policisë kolumbiane dhe ekuadoriane.
Si rezultat i bastisjeve në kuadër të operacionit në Guayas janë sekuestruar 319 mijë dollarë, telefona satelitorë dhe pajisje GPS, ndërsa në Imbabura është bastisur një kala me dyer të blinduara ku u gjetën katër kasaforta me 90 mijë dollarë.
Kujtojmë se trafikanti i shumëkërkuar nga Ekuadori me nofkat “Gato Farfán” ose “Jerry” është përgjegjës për disa nga masakrat e ndodhura në burgje në Ekuador vitet e fundit dhe që kanë lënë të vrarë më shumë se 450 të burgosur që nga viti 2020.
Kush është Wilmer Emiliano Sanchez Farfan?
Farfan, lideri i dyshuar i kartelit të vetëquajtur ‘Nueva Generacion Ekuador’, akuzohet se është një nga furnizuesit kryesorë të kokainës për kartelin Sinaloa, të cilit ai i dërgon mallin nga streha e tij në Guayakuil.
Më 10 shkurt 2022, Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi sanksione ekonomike kundër Farfan dhe meksikanit Miguel Angel Valdez Ruiz, të lidhur me kartelet Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación (CJNG), për kontributin material në aktivitetet e paligjshme të këtyre dy organizatave, futja e kokainës në vendin e Amerikës së Veriut.
Vitin e kaluar, qeveria amerikane e quajti Farfanin një nga trafikantët më të rëndësishëm të drogës në botë sot dhe gjithashtu e akuzoi atë se kishte dërguar përfaqësues të organizatës së tij në Meksikë për të krijuar një marrëdhënie pune me Kartelin Jalisco Nueva Generacion.
Ai është përgjegjës për disa nga masakrat e burgjeve të ndodhura në Ekuador në vitet e fundit dhe që kanë lënë të vrarë më shumë se 450 të burgosur që nga viti 2020 dhe për disa vrasje në rrugë publike.
Në Ekuador, më shumë se 400 ton drogë janë kapur në dy vitet e fundit, gjë që e vendos atë si vendin e tretë me më shumë konfiskime, vetëm pas Kolumbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
I njëjti dokument vendosi portin e Guayaquil, kryeqyteti i provincës Guayas, si një nga trampolina kryesore në Amerikën e Jugut për kokainën që arrinte në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.