Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar nga policia e Vlorës në kuadër të operacionit “Knockout”.
Uniformat blu kanë arrestuar shtetasit Bledar Ukshini, 31 vjeç dhe Ardit Qamluku, 21 vjeç, të dy lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, të cilët kanë tentuar të shisnin mina me telekomandë, për llogari të një grupi kriminal.
“Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve, në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, i gjetën 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro.” thuhet në njoftimin e Policisë.
Bledar Ukshini dhe Ardit Qamluku akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Policia njofton se në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.