Turqia është tronditur nga një tërmet i fuqishëm ditën e sotme i cili ka lënë të vdekur mbi 2700 persona dhe mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Shumë futbollistë shqiptarë vazhdojnë karrierën e tyre në kampionatin turk i cili është në zi nga ngjarja e rëndë.
Sulmuesi i Kombëtares, Endri Çekiçi i cili luan me ekipin e Konyaspor nga qyteti i Konias në qendër të Turqisë ka treguar se si e kanë përjetuar këtë tragjedi.
Për fat të mirë, këtu ku ishim ne me ekipin, sepse erdhëm dje për ndeshjen në Stamboll, nuk ka pasur njerëz të dëmtuar dhe as dëme materiale. Fluturimet janë anuluar dhe nesër duhet të kthehemi me tren.
Ai thotë se aktivitetet futbollistike, ashtu si shumë të tjera janë ndërprerë.
Kampionati aktualisht është pezulluar dhe pritet që në dy javët e ardshme të bëhet pauzë e të gjitha ekipeve. E rëndësishme në këto momente është vetëm jeta e njerëzve.
Edhe mesfushori Eduard Rroca, futbollist i skuadrës nga Stambolli, Istambul Sport ka treguar momentet e frikshme që po përjeton edhe pse larg epiqendrës.
Gjendja është alarmante, nuk është një situatë aspak e mirë. Ne jemi larg dhe nuk kemi ndjerë asgjë.
Rroca është me bashkë me familjen në Turqi dhe sado larg ndjenja e frikës ekziston.
Po jetojmë në gjendje frike dhe sot jemi zgjuar si në traumë, tani dolëm të hamë diçka. Në momentin që je i pafuqishëm, nuk mund të bësh asgjë, sa herë sheh këto lajmet, aq më shumë përfshihesh emocionalisht. Ne e kemi akoma të freskët, sepse kur ndodhi lajmi në Tiranë ishim aty.