Gazetari i kronikës Artan Hoxha është paraqitur pasditen e kësaj të hëne në Policinë e Tiranës, për të dëshmuar në lidhje me materialin e publikuar të premten e kaluar në emisionin “Zona Zero” në Top News për ngjarjen e 21 Janarit 2011 ku u vranë 4 protestues para Kryeministrisë.
Bëhej fjalë për një audioregjistrim në radio mes ish-kreut të Gardës në atë kohë Ndrea Prendi dhe vartësve të tij, ku dukej qartë se urdhri për vrasje ishte dhënë nga lart. Prokuroria nisi hetimet dhe gazetari iu përgjigj pozitivisht ftesës për të dëshmuar.
Hoxha deklaroi për gazetarët se detyrat i është lënë policisë gjyqësore, teksa shtoi se vrasjet e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës janë ende pa autor. Sipas tij, Garda ka ekzekutuar me urdhër qytetarë të pafajshëm.
“Unë i jam përgjigjur thirrjes që ka bërë prokuroria që po heton. Me sa pashë detyra i është lënë policisë gjyqësore. Duke ndjekur fjalën e avokatit Maks Haxhia për tu veshur trashë në kohë dimri këtu, unë jam veshur me triko leshi, pallto, jam i përgatitur për të qëndruar gjatë. Çfarë ka qenë për tu bërë publike është bërë nga unë, tani mbetet në dorën e hetimit, janë ata që e vlerësojnë nëse është një provë, nëse mund të jetë një element që ndihmon grupin e hetimit për zbardhjen e 21 janarit. Sot është fakt se edhe 12 vite mbrapa kemi 2 të vrarë në bulevard, Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën që janë ekzekutuar dhe janë pa autorë.
Sot ish kryeministri i kohës duhet të japë përgjigje, ai vazhdon me variantin e vjetër, që ka dalë një Carlo Gambino prapa, që garda ka zbatuar ligjin e armëve, por mua me rezulton se garda ka ekzekutuar me urdhër qytetarë të pafajshëm. Ka vrarë qytetarë. Për sa kohë këto vrasje janë pa autorë, duhet të kemi përgjigje”, tha ai.