Blinte vota për LSI-në në zgjedhjet e 25 Prillit, arrestohet Vasil Shabani i dënuar nga SPAK

Aktualitet

Publikuar: 15/01/2023

Blinte vota për LSI-në në zgjedhjet e 25 Prillit, arrestohet Vasil Shabani i dënuar nga SPAK

Policia e Pukës ka arrestuar 47-vjeçarin Vasil Shabani, banues në fshatin Buzhalë.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar atë më 10 janar me 8 muaj burg për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Vasil Shabani ka qenë zyrtar i LSI-së dhe akuzohet se blinte vota për këtë forcë politike për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021.

Policia kapi zyrtarin e LSI-së në Pukë me mbi pesë milionë lekë në makinë dhe me një listë me 28 emra shoqëruar me një fletë votimi demonstrative për të votuar LSI.

Vasil Shabani, bashkë më disa zyrtarë të LSI-së në Pukë u arrestuan më 9 prill të vitit 2021, ndërsa në makinë iu gjetën rreth 5 mijë USD dhe një fletë të ngjashme me fletën e votimit. I përshirë është edhe kryetari i LSI-së në Pukë është Demir Syla, i cili është nën hetim në gjendje të lirë.

Nga hetimet e SPAK rezultoi se Shabani ishte i përfshirë në fushatën zgjedhore dhe kishte komunikim me kryetarin e LSI në Pukë, Demir Syla, ku shkëmbenin lista me emra peronash të ndryshëm. Shabani u kërkon personave të tjerë numrin kartës së identitetit, për t’i identifikuar si votues të LSI-së.

Vasil Shabani kontaktonte Lorenc Malajn për të siguruar vota në këmbim të parave për LSI. Një votë blihej me 10 mijë lekë ose rreth 100 USD. Shabani dhe Malaj komunikuan nga data 19 janar 2021 deri në 8 prill 2021, për blerje votash për LSI-në.