Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar nga policia e Kukësit, në kuadër të operacionit “No more”.
Burime zyrtare bëjnë me dije se 40-vjeçari Bilbyl Fetahu nga fshati Pistë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe fëmijëve, si dhe i ka kanosur ata me armë zjarri.
Ndërhyrja në kohë e Policisë, parandaloi ngjarjen që mund të shkonte deri në vrasje dhe arrestoi 40-vjeçarin. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, një karikator me fishekë, 9 kapsolla detonatore dhe 3 metër fitil zjarrpërcjellës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.