Tentoi të vriste biznesmenin me 1 kg tritol/ Astrit Sinanaj pretendon se i ka mbaruar afati i qëndrimit në burg, Apeli i refuzon lirimin

Aktualitet

Publikuar: 03/01/2023

Tentoi të vriste biznesmenin me 1 kg tritol/ Astrit Sinanaj pretendon se i ka mbaruar afati i qëndrimit në burg, Apeli i refuzon lirimin

Astrit Sinanaj, njeriu që akuzohet për tentativën e vrasjes me 1 kg tritol të biznesmenit Fuad Verzivolli në Elbasan, nuk ka mundur të përfitojë lirinë.

Sinanaj, përmes avokatëve të tij ka pretenduar se i kanë përfunduar afatet e paraburgimit, dhe për pasojë ka kërkuar shuarjen e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Kërkesa e tij është shqyrtuar ditën e djeshme në gjykatën e Apelit në Durrës, ku pas 4 orë diskutim ligjor dhe llogaritjeve të ditëve të qëndrimit në paraburgim të Sinanaj, trupi gjykues vendosi të rrëzojë kërkesën e tij për lirimin nga qelia.

Në muajin Janar 2021, çështja ndaj Astrit Sinanaj, u kthye për rigjykim pasi, duke përdorur nenin 428/ç të Kodit të Procedurës Penale, pasi gjykata e Apelit në këtë kohë, ka konstatuar mangësi proçeduriale në mungesën e arsyetimit të vendimit.

Për pasojë dosja u rikthye sërisht për rigjykim nga fillimi, ndërsa tashmë i pandehuri Astrit Sinanaj, kishte kërkuar lirimin nga qelia me pretendimin e mbarimit të afateve.

Astrit Sinanaj, u dënua në muajin korrik 2020, nga gjykata e Elbasanit, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e prokurorit Xhelian Seferaj, duke deklaruar fajtor dhe dënuar me 25 vite burgim Astrit Sinanaj.

Ky i fundit akuzohet për 4 vepra penale të “Vrasje me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Mbajtjes pa lejë të armëve shpërthyese”, “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Largimit i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Për Sinanaj, prokuroria kishte kërkuar dënimin me 30 vite burgim.

Ndërsa personi tjetër i pandehur në këtë çështje për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, Thanas Thoma, një ish-punonjës kazinoje në Elbasan, është dënuar me 10 muaj burgim.

Për Thomën, prokuroria kishte kërkuar në pretencën e saj, dënimin me 1.6 vite burgim.

Sipas dosjes së prokurorisë Sinanaj kishte tentuar të vriste me tritol biznesmenin Fuad Verzivollin.

Verzivolli, objektivi i këtij atentati gjatë dëshmisë në gjykatë deklaroi se sulmi me tritol ndaj tij ishte financuar nga Florenc Çapja, pasi ai nuk ka asnjë njohje me Astrit Sinanaj.

Më 6 maj 2017 në Elbasan, iu vendos 1 kg tritol C4 poshtë makinës së biznesmenit, Fuad Verzivolli./OraNews