MAL I ZI- Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka deklaruar se ka marrëdhënie tepër miqësore me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Abazoviç për gazetën malazeze Vijesti, ka thënë se me presidentin Vuçiç, ka raporte korrekte dhe se ndikimi i tij në Mal të Zi është i ekzagjeruar. Abazoviç thotë se është sulmuar për shkak të tij.
“Vazhdimisht jam i sulmuar se Vuçiç po menaxhon diçka këtu, këto gjëra i refuzoj, i konsideroj joserioze. Marrëdhënia ime me Vucic është shumë korrekte dhe miqësore. A na pëlqen ndonjë opsion politik në rajon apo jo, nuk është çështja jonë dhe nuk është çështje e qytetarëve tanë. Ne kemi pushtet sovran, i respektojmë të tjerët, në të njëjtën mënyrë dhe kaq. E gjithë kjo bisedë për Vuçiç është në kontekstin e krijimit të një narrative politike negative në raport me mua personalisht. Më vjen mirë që me të, me kryeministrin e Shqipërisë, të Kosovës dhe me kryetarin e Këshillit të Bosnjë-Hercegovinës kemi marrëdhënie që duhet të ketë çdo kryeministër i Malit të Zi”, ka thënë ai.
Po ashtu në intervistën për median malazeze, ai ka thënë se më të gjithë liderët e rajonit ka kontakte dhe marrëdhënie të mira.