Më 30 nëntor të këtij viti Drejtori i Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Lezhë, Edmir Përndreca u dhunua nga disa persona.
Pesë persona janë shoqëruar në polici si të dyshuar dhe për tre prej tyre janë prerë urdhër arrestet. Ndalimi i tyre u bë në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme me urdhër të prokurorisë së Lezhës. Ndaj autorëve është ngritur akuza e “Goditjes për shkak të detyrës”, pasi ka dyshime të forta se mund të jenë porositur nga persona të tjerë për të dhunuar drejtorin e OSHEE në Lezhë.
Kujtojmë se 43-vjeçari Edmir Përndeca u dhunua teksa po lëvizte me makinën e OSHEE mbrëmjen e 30 nëntorit. Përndeca u godit nga pas qëllimisht nga një automjet tjetër, teksa 2 shoferët si dhe 2 pasagjerët e automjetit tjetër e kanë dhunuar fizikisht me sende të forta duke i thyer krahun dhe këmbën.