Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dënuar këtë të mërkurë me 13 vite burg Hekuran Markun. GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK, i cili më herët kishte kërkuar këtë masë dënimi, pasi Marku është shpallur fajtor për 4 vepra penale.
Hekuran Marku përfiton gjykim të shkurtuar dhe do të qëndrojë pas hekurave 8 vite e 8 muaj.
Emri i tij doli në operacionin “Shpirti”, së bashku me Paulin Dedën, ky i fundit ende i lirë në Francë, ku ka kërkuar azil politik. Ata akuzohen se kanë trafikuar 1 ton kanabis të sekuestruar nga policia italiane në vitin 2016 në një gomone.
Dy skafistët e kapur kanë treguar emrat Dedës dhe Markut. Ky i fundit ra në prangat e policisë një vit më parë në Gjermani pasi ishte shpallur në kërkim pas operacionit anti-drogë “Shpirti” dhe u ekstradua drejt vendit tonë më 1 prill të 2022.
Operacioni “Shpirti” kundër trafikut ndërkombëtar të drogës u zhvillua më 2 korrik 2020, në bashkëpunim me institucionet italiane të drejtësisë. Në kuadër të këtij operacioni ranë 38 persona, për akuza të ndryshme si korrupsion, abuzim me detyrën, pastrim parash, trafik ndërkombëtar droge.