Qendrimi në qeli për biznesmenin italian nga San Giustino, Davide Pecorelli ka zgjatur vetëm dy ditë. Ai është liruar ditën e sotme me kërkesë kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm të drejtuar nga Sergio Sottani.
Shqipëria është në pritje të ekstradimit të tij, dhe në njoftimin e arrestimit të shtunën thuhej: “Skuadra me nxitjen e Shërbimit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Policor, ka vijuar me arrestimin provizor për qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë së shtetasit italian Davide Pecorelli. Dokumentet e arrestimit të sotëm i janë dërguar Prokurorit të Përgjithshëm të Perugias, Sergio Sottani, për t’u dorëzuar të hënën në verifikim në Gjykatën e Apelit të Perugias”
Davide Pecorelli, në 6 janar 2021 sajoi vrasjen dhe djegien e tij brenda një makine tip “Skoda”, në fshatin Gjegjajn të Pukës dhe u raportua si i vdekur, por 9 muaj më vonë, në 18 shtator 2021 u gjet i gjallë në ishullin Elba në Toskana.
Ai akuzohet për veprat penale “Shkatërimit të pronës me zjarr”, “Kallëzimit të rremë”, “Kalimit të paligjshëm të kufirit Shqiptar” dhe “Ushtrimi i veprimtarisë tregtare pa licensë”.
Së bashku me italianin, të pandehur janë marrë dhe dy bashkëpuntorët e tij shqiptarë, emra e të cilëve ende nuk bëhen publike nga prokuroria.
Për dy shtetasit shqiptarë që janë vënë nën akuzë si bashkëpuntorë të Pecorelit, ende nuk është marrë një vendim arresti, por ata ndiqen penalisht në gjendje të lirë.
Davide Pecorelli, ishte nisur nga Italia drejt Shqipërisë, më datë 3 janar 2021 nga aeroporti “Fiumicino” i Romës. Ai ka mbërritur në Shqipëri për biznesin e produkteve kozmetike që kishte në pronësi, ku ka qëndruar një ditë në Vlorë dhe më pas është kthyer në Rinas. Pikërisht në këtë zonë ka marrë me qira një automjet tip “Skoda”, duke udhëtuar në drejtim të Pukës.
Në këtë qytet ka qëndruar në hotel dhe teksa është larguar, makina e tij është gjendur tërësisht e djegur në datën 6 janar 2021. Që prej kësaj date, e deri në 18 shtator 2021, për 9 muaj me radhë policia dhe prokuroritë e dy shteteve Itali dhe Shqipëri, nuk kishin asnjë gjurmë të Pecorellit.
Dyshimi paraprak i hetuesve, se Pecorelli mund të ishte vrarë, u krijua për shkak se në makinën e djegur u gjendën disa eshtra kockore, që pas kryerjes së analizave rezultuan se i përkisnin një qeni.