Vrau 2 persona në 2020 për parcelat me kanabis, arrestohet 27-vjeçari në Shkodër

Aktualitet

Publikuar: 09/12/2022

Vrau 2 persona në 2020 për parcelat me kanabis, arrestohet 27-vjeçari në Shkodër

Policia në Shkodër ka arrestuar 27-vjeçarin Daniel Pepaj për vrasje të dyfishtë me armë zjarri në viitin 2020.

27-vjeçari dyshohet se në fshatin Vrith në tetor të vitit 2020, ka vrarë me armë zjarri personat Vilson Çotaj dhe Klement Pepaj.

Për 27 vjeçarin me banim në fshatin Vrith, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

– Advertisement –
Ngjarja e rëndë në 2020:

Më 3 tetor të 2020, Vilson Çotaj u qëllua me disa plumba pas shpine në pjesën e brinjëve, kurse Klement Pepaj me një plumb pas koke.

Trupat u gjetën shumë pranë një parcele me kanabis në pronësi të Daniel Pepaj, e ndodhur në zonën e Kastratit në Malësinë e Madhe.

Në parcelën në fjalë gjendeshin 30 rrënjë kanabis të kultivuara. Pikërisht kanabisi dyshohet se është bërë shkak për krimin pasi mes tyre kishte pasur debat gjatë ditëve të fundit për një sasi droge të vjedhur.

E pikërisht, në momentin e ngjarjes Danjel Pepaj i kishte thirrur dy të rinjtë, për tek vendi i parcelës për t’u kthyer sasinë e kanabisit që akuzohej se u kishte vjedhur atyre.