Pas 30 viteve gënjeshtra dhe pafytyrësi të përfaqësuesve të të gjithë krahëve politikë, qeverive dhe pushteteve vendore, banorët e fshatit Prell të Rrethit të Matit, kanë vendosur të ndërtojnë vetë, me kursimet e tyre rrugë automobilistike, e cila lidh fshatin me fshatërat e tjerë, me Burrelin, me Klosin, rrejedhimisht Rrugën e Arbërit, ndërsa nga Lindja me Rrëshenin, Rrugën e Kombit etj.
Meqenëse rruga në disa segmente ishte e pakalueshme, në 30 korrik të këtij viti, banorët e fshatit Prell, zhvilluan një mbledhje, në të cilën vendosën një zgjidhje alernative, për rrugën. U vendos çelja e një llogarie bankare, për të mbledhur fonde në mënyrë vullnetare, për ndërtimin e rrugës.
Për tre muaj me radhë, banorë të Prellit dhe banorë të shpërngulur brenda dhe jashtë vendit, kotribuan sipas mundësisë fianciare me shuma monetare. Llogaria bankare dhe kontributi me shuma cash u administrua nga tre përfaqësues të banorëve në mënyrë transparente dhe duke publikuar çdo shpenzim.
Meqenëse fondet e mbledhura janë gjithsesi të pamjaftueshme, nisi ndërhyrja në akset më të dëmtuara të rrugës dhe të vështira për t’u kaluar, sidomos para stinës së dimrit.

Mungesa e një rruge të asfaltuar, e ujit të pijshëm dhe për vaditje, pra të elementëve bazë, ka nxitur largimin e rreth 90 % të familjeve drejt kryeqytetit, Durrësit, Burrelit, por sidomos në emigrim.
Gjithsesi, nisma e banorëve për të mundësuar një shërbim elementar që duhet ta kishte realizuar shteti, është një tjetër shuplakë në faqen e zezë të politikës dhe përfaqësuesve politikë të Matit.
Ftojmë biznesmenë, të lidhur ose jo me Matin, të kontribuojnë sipas mudësive, për të përfunduar pjesët e tjera të rrugës. Bëhet fjalë për një segment 7 kilometra, por pjesa që kërkon ndërhyrje më emergjente ka një gjatësi prej 4 kilometrash.
Më poshtë numri i llogarisë bankare.




