Silva Gjergji nga Rubiku, shoqja e saj Roxhesa Klironomi banuese në lagjen nr. 5 Durrës dhe Arbër Tivari kanë darkuar mbrëmjen e së shtunës në Durrës, afër Currilave.

Kjo do të ishte darka e fundit për dy të rejat. Pasi kanë ngrënë darkë, tre të rinjtë janë nisur drejt Tiranës rreth orës 2 natës.
Arbër Tivari, një person problematik dhe me precedentë penal, ka qenë duke drejtuar automjetin tip Ford Ka me targë AA014ZE nga Durrësi në drejtim të Tiranës, kur ka dalë nga rruga duke marrë me vete edhe barrierën metalike anësore, e cila është palosur brenda në kabinë.

Si pasojë e këtij aksidenti kanë gjetur vdekjen dy pasagjeret, Silva Gjergji dhe Roxhesa Klironomi, të cilat udhëtonin me të në të njëjtin mjet.
I riu që drejtonte automjetin është transportuar me urgjencë drejt Traumës, ku raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë.

Policia i ka komunikuar masën e arrestit Arbër Tivarit, i cili është në gjendje shumë të rëndë.
Si dy viktimat dhe 26-vjeçari i plagosur do t’u nënshtrohen analizave dhe ekzaminimeve mjekoligjore për të zbuluar nëse kishin konsumuar alkool apo lëndë narkotike.
Precedentë penalë
Arbër Tivari është emër i njohur për policinë e Durrësit pasi gjatë viteve të fundit ka hyrë dhe ka dalë disa herë nga burgu.
Në mars të vitit 2021, ai u qëllua me armë zjarri në dorë nga Alket Buçpapaj i cili po ashtu njihej si person problematik për drejtësinë.
Tivari ishte arrestuar edhe më herët për shpërndarje lëndësh narkotike dhe vjedhje.
Për herë të fundit, Tivari është arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe municione luftarake.
