Pak ditë më parë, Ardian Çapja, dha një dëshmi tronditëse në gjyq, ku sipas tij, emri i politikanit “Taulant”, dilte në përgjimet e ngjarjes së ndodhur më 3 Shkurt të vitit 2016 në Elbasan, ku në një lokal ku qëndronin miq dhe të afërm të familjes Çapja ndodhi një masakër me tre të vrarë dhe tetë të plagosur. Ai shtoi më tej se ky politikan mund të ketë gisht në ekzekutimin e avokatit Revik Gurra.
Pas verifikimeve nga media, u mësua se bëhej fjalë për kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili ishte mbajtur për 48 orë nën përgjim dhe më pas, me një vendim të dyshimtë të gjykatës, u vendos të mos përgjohej më dhe përgjimet e tij të asgjesoheshin.
Por, sipas ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, me shumë gjasë, një kopje e atyre përgjimeve është ruajtur dhe që ka sjell edhe riaktivizimin e kësaj çështje pikërisht tani.
Në një postim në rrjetet sociale, Manjani shkruan se me shumë gjasë janë ekuilibra të prishur brenda kupolës së pushtetit ata që e hapin këtë çështje.
Ai shtonmë tej se nëse Taulant Balla e ka mbushur kupën, do dalë edhe përmbajtja e atyre përgjime, në të kundërt sipas tij, është shantazh dhe deputeti socialist do jetojë gjatë me këtë situatë
Reagimi i plotë:
Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Elbasanit për eliminimin e përgjimeve të “Taulantit”, besoj se dikush duhet ta ketë ruajtur një kopje. Një kopje që ka sjellë edhe riaktivizimin e kësaj çështje pikërisht tani…
Se kush e ka, e kush po e shtyn këtë gjë, s’di ta them, por padyshim që dikush e shtyn. Me shumë gjasë janë ekuilibra të prishur brenda kupolës së pushtetit ata që e hapin këtë çështje.
Praktikisht këto lloj përgjimesh janë “flori”. Vështirë të besosh se janë zhdukur.
Ato përdoren gjithmonë si shantazh.
Fjala vjen e mbani mend se si Taulanti riaktivizoi disa përgjime të Ilir Metës në bisedë me K.I, përgjime të cilat ishin urdhëruar nga gjykata për t’u zhdukur?!
Ja pra që nuk ishin zhdukur. Dikush i kishte ruajtur…
Njësoj besoj se ka ndodhur dhe në këtë rast, ku Taulanti është i përgjuari…
Gjykata mund të urdhërojë zhdukjen nga dosjet zyrtare, pra që nuk përdoren për hetime procedurale, por përmbajtja vështirë të jetë shuar… Dikush e ka ruajtur një CD…
Nëse Taulanti e ka mbushur kupën, do dalë edhe përmbajtja e tyre. Në të kundërt, Taulanti është nën shantazh dhe do jetojë gjatë me këtë situatë…
Të paktën kështu besoj unë.
Të presim e të shohim.
***
Sidoqoftë, nëse SPAK ka vullnet të zbulojë ndonjë gjë, policët, përgjuesit, zbardhësit, prokurorët dhe gjykatësit janë gjallë dhe nuk kanë përse të mos dëshmojnë si persona që kanë dijeni për krimet në Elbasan.
Veçanërisht për pyetjen kush dhe përse vrau Ravik Gurrën?!