Redon Pëllumbi, me mbiemër të ndryshuar në Skutera, për shkak të të shkuarës së dyshuar kriminale. Ky është zagari i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, i cili goditi nga pas si burracak, gazetarin Adriatik Doçin.
Pëllumbi, i arrestuar sot nga policia, është ushtar i një grupi kriminal në Tiranë, të cilin e përdorin për krime të ndryshme në këmbim të pagesës.
Ka dyshime të forta se Redon Skutera është përdorur në disa ngjarje kriminale, përfshirë edhe vrasje me pagesë, grabitje me dhunë etj.
Skureka është skeduar për aktivitet kriminal në Holandë, ku dyshohet se është dënuar me 15 vite për vrasje.
Në sulmin pas shpine ndaj gazetarit Doçi, zagari i krimit të organizuar është mbështetur edhe nga disa persona të tjerë, të cilët kanë dalë zbuluar.
Për zbulimin e grupit kriminal është angazhuar komisariati nr. 5, Policia e Shtetit, ministri i Brendëshm Bledi Çuçi, ndërsa ka pasur intetesim të posaçëm nga ambasadat më të rëndësishme të huaja në Tiranë.
Redon Pëllumbi është 32 vjeç, nga Berati dhe jeton në Tiranë. Ai, pas arrestimit, ka pranuar sulimin, por ka nisur të sajojë disa alibi qesharake, për të mos treguar padronë e tij që e kanë paguar.
Pëllumbi (Skutera) rrezikon 3 vite burg.
Reagimi i policisë
Policia identifikon, kap dhe arreston autorin e dyshuar të goditjes së shtetasit A. D. (gazetar). Kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari R. S.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në Kamzë, pas denoncimit nga gazetari A. D. goditur në afërsi të banesës, nga një shtetas i paidentifikuar, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Pas një pune profesionale dhe hetimore, të kryer nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në Kamzë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, falë dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapjen dhe arrestimi, në rrugën “Sami Frashëri”, i shtetasit R. S., 32 vjeç, lindur në Berat dhe banues në rrugën “Ndre Mjeda”, Tiranë. Ky shtetas, më datë 13.11.2022, rreth orës 12:00, ka goditur disa herë, me grushte, për shkak të detyrës, në afërsi të banesës, në Kamzë, gazetarin A. D., duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Arrestimi i shtetasit R. S. u bë bazuar ne dokumentimin e administrimin e provat shkencore e ligjore, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”. Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e fokusuar për të mbrojtur dhe respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve e në veçanti të gazetarëve dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të cenimit të të drejtave, duke iu garantuar reagim të shpejtë e profesional.
Reagimi i gazetarit Adriatik Doçi
Së pari, dua të shpreh vlerësimin maksimal për Policinë e Shtetit, për punën profesionale, të guximshme, pa ndalim, madje deri pas mesnate, të komisariatit nr. 5, drejtuesit e të cilit zbuluan në kohë rekord autorin e sulmit fizik ndaj meje, bashkë me suportuesit e tij.
Ky është një lehtësim i madh për mua, familjen dhe miqtë e mi.
Vlerësoj gjithashtu interesimin e posaçëm të ministrin Blendi Çuçi për zbardhjen e ngjarjes.
Vlerësoj mbështetjen dhe solidaritetin maksimal të drejtuesve të Report Tv.
Ky është edhe një mesazh i shtetit për të gjithë kolegët e tjerë gazetarë, të cilët nesër mund të sulmohen nga segmente të krimit të organizuar.
Ashtu siç edhe deklarova ditën e parë, sulmi është paguar nga nyje të krimit të organizuar për shkak të detyrës, për të krijuar frikë dhe kufizuar raportimin.
Hetimet do të tregojnë më shumë. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë hap pas për të ndarë me publikun të vërtetat me interes publik.