Gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PD-së, nënkryetari i kësaj force politike Luçiano Boçi deklaroi se do të depozitojnë në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për fluturimet me charter të kryera nga kryeministri Edi Rama, pas publikimit të të dhënave nga hakerat të sistemit TIMS.
Boçi akuzoi Ramën se “ka djegur në ajër 22 milionë euro të shqiptarëve”.
“Sipas të dhënave nga sistemi TIMS Rama ka flututuruar 137 herë duke djegur në ajër 22 milionë euro të shqiptarëve. Për këtë arsye grupi ynë parlamentar do dorëzojë kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për zbardhjen e kësaj afere korruptive për të zbuluar fytyrën e vërtetë të regjimit. Do kërkojmë mbështetjen e të gjithë deputetëve e çdo tentativë për ta refuzuar apo penguar do konsiderohet si tentativë për të fshehur të vërtetën para shqiptarëve”, tha Boçi.
Pas kësaj deklarate, ka ardhur një reagim nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në Twitter, mohon që të ketë shpenzuar një shifër të tillë për udhëtimet e tij dhe thekson se shpenzimet për fluturimet e tij janë sa gjysma e atyre të ish-kryeministrit Berisha.
“Njerëz me bisht në vend të gjuhës që tallen me Shqipërinë e shqiptarët, mjeranë në shërbim të Rublave ruse! Vazhdojnë me 22 milionë € për fluturimet e kryeministrit, ndërkohë që udhëtimet e mia kanë kushtuar më pak se gjysma e fluturimeve të Nongratës! #MeFakteJoMeRubla”, shkruan Rama.