Patenta e marrë me mik? Nga 162 shoferë, vetëm 10 kalojnë në ripërsëritjen e testit

Aktualitet

Publikuar: 31/10/2022

Patenta e marrë me mik? Nga 162 shoferë, vetëm 10 kalojnë në ripërsëritjen e testit

Prej kohësh tashmë, drejtuesit e mjeteve që humbasin me shkelje rrugore pikët e lejes së drejtimit, rifuten në testin e teorisë, por ajo që vihet re është se pjesa më e madhe e tyre ngelin.

Së fundmi, DPSHTRR ka bërë me dije se nga 162 shoferë që janë ritestuar në 100 ditët e fundit për shkak të humbjes së pikëve, vetëm 10 drejtues automjetesh e kanë rifituar sërish lejen e drejtimit.

DPSHTRR iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregulat e qarkullimit rrugor, pasi nëse do t’i humbin të gjitha pikët, do të rikthehen në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitojnë patentën vetëm nëse nuk kanë mbi 3 gabime në pyetësorin e Normave të Sjelljes me 30 fjali si edhe nëse kalojnë në testin e praktikës.

Postimi i plotë:

Nga 162 riregjistrime pas humbjes së të gjithë pikëve të Leje Drejtimit, vetëm 10 veta kanë rifituar Leje Drejtimin, në këto 100 ditë!

Vetëm 2 kalues në Testin e rimarrjes së Leje Drejtimit, në seancën e 9-të të ritestimit që nga zbatimi i dispozitës së re shtrënguese me rikthim në Autoshkollë, nga 17 kandidatë për këtë seancë, ku u paraqitën në sallë vetëm 7 veta!

S’KA SHPËTIM përveç RIEDUKIMIT për ata që ne i konsiderojmë kontigjent shkelësish të rëndë të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata vetë dhe të tjerët në rrugë, që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë!
Koka bën, koka pëson!

Konkluzioni: respektoni normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbni të gjitha pikët, do të riktheheni në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitoni patentën vetëm nëse nuk keni mbi 3 gabime në pyetësorin e Normave të Sjelljes me 30 fjali si edhe nëse kaloni në testin e praktikës, të dyja testet nën e-Monitorim

Këtë kohë, angari e kosto mund t’ia shmangni vetes duke u sjellë korrekt në timon
Ju jeni problemi dhe po ju jeni zgjidhja