Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi të premten përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dosjes ndaj biznesmenit kontrovers të naftës Rezart Taçi dhe disa të akuzuarve si bashkëpunëtorë të tij dhe pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Prokuroria bëri me dije se Taçi, Artur Balla, Bledar Lilo me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë akuzohen për “veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal””.
Ata akuzohen se bënë përpjekje për të pastruar një shumë prej 18,3 milionë Euro të cilat prokuroria thotë se i bllokoi “në një llogari bankare në një bankë të nivelit dytë në Shqipëri”.
Sipas SPAK, skema financiare është drejtuar nga Zummo dhe Petruzella, në bashkëpunim me një shtetas zviceran me origjinë italiane dhe ish-bosin shqiptar të naftës, Rezart Taçi. Mirëpo në dosjen e përgjimeve që erdhi nga autoritetet italiane përmendjen edhe zëvëndkryeministri i Shqipërisë, që në kohën që është bërë biseda ka qenë Arben Ahmetaj.
Ahmetaj tentoi tia faturonte këtë përgjim paraardhësit të tij Erion Braçe, por referuar dokumentit të përgjimeve aty nuk përmendet emri i Braçes.
Por çfarë ka në brendësi dosja për këtë çështje?
Në faqen 40 përmendet zëvendës kryeministri jo me emër, por me post dhe ku thuhet që biznesmeni Rezart Taçi pretendon se ka folur me zëvendës kryeministrin dhe ka folur për të rikonfirmuar në detyrë drejtorin e pastrimit të parave dhe qëllimi ishte një për të mos bllokuar shumën prej më shumë se 18 milion eurosh në bankën “Alpha Bank” në Tiranë.
“Nga ana e zëvendës kryeministrit drejtori i pastrimit të parave pretendonte rikonfirmim në detyrë në këmbim për të zhbllokuar fondin e bllokuar në “Alpha Bank” pra fondin e Zummos. Madje në këmbim zëvendës kryeministri kishte qëllim, të shtirej se po ja plotësonte kërkesën Drejtorit të Antiriciklimit e për ta likujduar më vonë, pas zhbllokimit të fondeve (atje ja ka futur këtij bir kurve)…. “Drejtori i Antiriciklimit ka pretenduar që zëvendës kryeministri i qeverisë t’i thotë do të riemërohesh do të rikonfirmohesh…. do të thotë kështu., pra ai do të firmos dekretin e dy orë më pas si me përplasje duarsh do të çoj në shtëpi se na e çau….”

Madje në dosjen e përgjimeve është transkriptuar biseda e përgjuar mes Fabio Petruzello e Marina Tizzi, partnerja e tij.
Fabio Petruzello, shfaqet se ka besim se paratë do të nisen e se ndërmjetësit shqiptarë kishin mbërritur deri te kryeministri e nuk i rezultonte se llogaria bankare në “Alpha Bank” të ishte bllokuar.
Fabio: Sa më shpejt t’i zhdukim, sa më shpejt t’i çojmë në Hong Kong, aq më mirë është. Më tha të rri i qetë se kupton mirë, se fatmirësisht klienti është 90 vjeç, pra se ai me këtë do të fik qirinjtë, të sistemoj fëmijët…. kanë kaluar 3 muaj e çfarë ka kombinuar… tema është kjo që unë… më thotë “Fabio të kuptoj mjaft mirë por a e kupton se nuk varet nga unë, nuk varet nga unë…”
Lidhur sa më lartë duket se SPAK nuk e ka marrë në pyetje zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, dhe aq më pak të pandehur. A kemi të bëjmë me një proces selektiv, ku hiqet nga përgjegjësia numri dy i qeverisë së kohës.
Vox News iu drejtua zyrës për media të SPAK lidhur me këtë fakt, nëse janë marr dëshmitë e personave që kanë dal në përgjime, siç është zëvendëskryeministri i kohës Arben Ahmetaj. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi ende nuk kemi një përgjigje.
©Copyright Vox News