Kristjan Cenaj duke ngritur dolli dhe festuar pasi vrau 16-vjeçarin për një orë “Rolex”, si jetoi 7 vite me krimin e tmerrshëm në ndërgjegje

Krim & Korrupsion

Publikuar: 24/10/2022

Kristjan Cenaj duke ngritur dolli dhe festuar pasi vrau 16-vjeçarin për një orë “Rolex”, si jetoi 7 vite me krimin e tmerrshëm në ndërgjegje

Kristjan Cenaj ka jetuar, ka ngritur dolli dhe festuar për 7 vite me radhë me një krim të tmerrshëm në ndërgjegje.

30 vjeçari akuzohet nga Prokuroria se ka vrarë 16-vjeçarin Mariglen Gjonajn në maj të vitit 2015 për një orë “Rolex” dhe varëse floriri.

Pas krimit të dyshuar, Kristjan Cenaj ishe fejuar dhe vijonte jetën, në dukje i gëzuar. Ai shfaqej duke pirë, duke ngritur dolli dhe festuar.

Krimi është kryer në 18 maj 2015. Ai vinte dhe shkonte në Itali. Në prill të vitit 2019, shfaqet në këtë foto edhe duke ndezur qiri dhe duke u lutur.

Po për çfarë lutej vallë Kristjan Cenaj? A flinte dot i qetë? A ishte i lumtur aq sa dukej? Si jetoi 7 vite me krimin e llahtarshëm në ndërgjegje. 

Familjarët e 16-vjeçarit kishin shprehur që në vitin 2015 dyshime për implikimin e Kristjan Cenajt, por hetuesve iu deshën 7 vite për ta mbërthyer të dyshuarin me prova. U deshën kaq kohë të zbulohej autori, pasi nuk kishte asnjë gjurmë për Mariglenin.

Pjesë nga eshtrat e Mariglenit u gjetën vetëm së fundmi, në një ferrë të djegur. Pas gjetjes së eshtrave, analizave të ADN, u zbulua edhe autori përmes qelizave telefonike.

Si u zbulua 

Ditën e krimit në 18 Maj 2015, Cenaj rezulton të ketë dhënë deklarime kontradiktore. Ai ka pranuar se ka qënë në shoqërinë e 16-vjeçarit, Mariglen Gjonaj, të cilin e kishte lënë vetëm në rrugën e Fushë-Kuqes, pasi i ishte prishur makina e tij personale.

Sipas Cenaj, Gjonaj ka vijuar udhëtimin në këmbë për tu larguar në banesë. Ndërsa Kristjan Cenaj, ka mbetur në mes të rrugës me makinën e tij të prishur. Por në vijim të dëshmisë së tij, Cenaj ka treguar se ka provuar sërisht për ndezjen e makinës dhe mjeti ishte ndezur, duke sjellë largimin e tij në Mamurras.

“…gjatë rrugës unë nuk e kam parë Mariglen Gjinaj…”,- ka treguar Cenaj, duke shtruar se atë ditë ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka punuar duke mbledhur barin.

Por nga kqyrja e profilit të “Facebook”, ka rezultuar se Kristjan Cenaj, në 18 Maj 2015 ka postuar fotografi në vende të tjera, shumë larg vendit të krimit Fushë-Kuqes dhe zonës ku ai ka shtëpinë në Mamurras.

Kontradiktat e tij në tregimin jo të sinqertë të kësaj ngjarje, bënë që grupi i hetimit të dalë në përfundimin se Kristjan Cenaj është autor i dyshuar i vrasjes së, shokut të tij Mariglen Gjonaj.

Eshtrat e këtij të fundit u zbuluan rastësisht në 3 Prill 2022, kur një fshatar i zonës së Fushë-Kuqes, i vuri zjarrin një ferre pranë pronës së tij.

Me djegien e ferrës, dolën në dritë dhe mbetjet kockore të një njeriu. Pas analizimit të ADN-së, rezultoi se eshtrat i përkisnin pikërisht 16-vjeçarit të zhdukur në Maj 2015 Mariglen Gjonaj.

Nga muaji prill e deri në tetor, prokuroria dhe policia e Laçit kanë zhvilluar disa veprime hetimore, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e shokut të viktimës, Krisjan Cenaj.

Ndalimi i tij është bërë vetëm pas ardhjes nga Italia, ku pasi mori pjesë në dasmën e vëllait të tij, në mesnatë ai ka vendosur të largohet sërisht në Itali.

Por Cenaj u arrestua në pikën kufitare të Rinasit, duke ju komunikuar akuza e vrasjes së 16-vjeçari.

Sipas burimeve të prokurorisë, vrasja e Mariglen Gjonaj është bërë për qëllime grabitje, pasi viktima ditën e ngjarjes ishte duke festuar mbrëmjen e maturës, dhe me vete kishte një varëse dhe byzylyk floriri si dhe një orë dore “Rolex” në dorë, sende këto që ende nuk janë gjendur.