Djali që shihni në foto është Lear Kurti, i riu që vdiq brenda komisariatit nr.3 në Tiranë mbrëmjen e djeshme. Ai nuk iu bind urdhërit të forcave të policisë për ndalim dhe më pas u shoqërua në komisariat me furgon, por që pak orë më vonë vdiq papritur.
Ndërkohë, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka reaguar së fundmi në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit. Sipas Berishës, Lear Kurti është dhunuar keq brenda furgonit të policisë dhe më pas ka ndërruar jetë në komisariat.
Në postimin e ish-kryeministrit thuhet se ai ka mbërritur i vdekur në urgjencë.
Denoncimi i Berishës:
KRIM I SHËMTUAR! Banditë me uniformë i marrin jetën të riut 32 vjeçar, Leart Kurti. Ata e torturuan shtazërisht në makinën e policisë dhe e dërguan pa ndjeja në komisariat. Vrasësit me uniformë e dërgojnë të vdekur në urgjencë. Shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe krimin e shëmtuar të kriminelëve me uniformë të Edi Ramës dhe ministrit të familjes Çuçi”.
Policët kanë deklaruar për mediat se i riu nxorri shkumë nga goja në momentin që ndodhej në komisariat dhe ata lajmëruan menjëherë ambulancën për ta transportuar në spital.
“Pas shoqërimit në komisariatin nr 3 ai Ka nxjerrë shkumë nga goja. Ata lajmëruan menjëherë ambulancën dhe kanë tentuar t’i japin ndihmë mjekësore dhe autoambulca e ka shoqëruar në gjendje të rëndë, por i riu nuk ka mundur të mbijetojë duke humbur jetën”.
Policët janë marrë në pyetje. Ata janë shprehur se ndaj të riut nuk është ushtruar dhunë kategorikisht dhe gjithçka është filmuar nga kamerat e komisariatit.
Sipas burimeve njihej në zonë si përdorues dhe shpërndarës i lëndëve narkotike, ndërkohë që 10 vite më parë kishte plagosur me armë zjarri një person në “Rrugën e Kavajës”. Për ngjarjen e ndodhur, Kurti ka kryer disa vite burg.