Vrau 16-vjeçarin për orën ‘Rolex’, për çfarë po lutet Kristjan Cenaj? Gjykata e lë në burg, si u zbulua krimi i tmerrshëm

Kronike

Publikuar: 13/10/2022

Vrau 16-vjeçarin për orën ‘Rolex’, për çfarë po lutet Kristjan Cenaj? Gjykata e lë në burg, si u zbulua krimi i tmerrshëm

Një tjetër krim i tmerrshëm tronditi opinionin publik. Kristjan Cenaj, 30 vjeç, akuzohet nga Prokuroria se ka vrarë 16-vjeçarin Mariglen Gjonajn në maj të vitit 2015 për një orë “Rolex” dhe varëse floriri.

Pas krimit të dyshuar, Kristjan Cenaj ishe fejuar dhe vijonte jetën, në dukje i gëzuar. Krimi është kryer në 18 maj 2015. Ai vinte dhe shkonte në Itali.

Në prill të vitit 2019, shfaqet në këtë foto duke ndezur qiri dhe duke u lutur.

Po për çfarë lutej vallë Kristjan Cenaj? 

A flinte dot i qetë? 

Familjarët e 16-vjeçarit kishin shprehur që në vitin 2015 dyshime për implikimin e Kristjan Cenajt, por hetuesve iu deshën 7 vite për ta mbërthyer të dyshuarin me prova. U deshën kaq kohë pasi nuk kishte asnjë gjurmë për Mariglenin.

Pjesë nga eshtrat e Mariglenit u gjetën vetëm së fundmi, në një ferrë të dhegur. Pas gjetjes së eshtrave, analizave të ADN, u zbulua edhe autori përmes qelizave telefonike.

Gjykata e lë në burg 

Gjykata e Kurbinit ka lënë në qeli me masë sigurie “arrest në burg” Kristjan Cenajn, autori i dyshuar i vrasjes së 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj. Cenaj u arrestua më 10 tetor teksa vinte për dasmën e një të afërmi në vendlindje.

Seanca gjyqësore e cila u zhvillua me dyer të mbyllura ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta dhe të pranishem jashtë ambjenteve të gjykatës kanë qenë dhe familjarë të autorit të dyshuar.

Kristjan Cenaj, personi që ekzekutoi në Maj 2015 për një orë “Rolex” mikun e tij Mariglen Gjonaj, është arrestuar vetëm pak minuta pasi kishte përfunduar dasmën e vëllait të tij, K. Cenaj.

Autori i dyshuar kishte mbërritur ditën e premte nga Italia në Shqipëri, posaçërisht për të marrë pjesë në dasmën e vëllait të tij, në Kurbin.

Policia dhe prokuroria e Laçit, kanë pasur informacion mbi vizitën e tij, dhe sapo ai ka hyrë në territorin shqiptar, në sistemin TIMS është vendosur shënimi për ndalim dalje në kufi të tij.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Cenaj është identifikuar si autor i dyshuar i vrasjes së Mariglen Gjonaj përmes qeliza telefonike dhe profilit të tij në “Facebook”.

Si u zbulua 

Ditën e krimit në 18 Maj 2015, Cenaj rezulton të ketë dhënë deklarime kontradiktore. Ai ka pranuar se ka qënë në shoqërinë e 16-vjeçarit, Mariglen Gjonaj, të cilin e kishte lënë vetëm në rrugën e Fushë-Kuqes, pasi i ishte prishur makina e tij personale.

Sipas Cenaj, Gjonaj ka vijuar udhëtimin në këmbë për tu larguar në banesë. Ndërsa Kristjan Cenaj, ka mbetur në mes të rrugës me makinën e tij të prishur. Por në vijim të dëshmisë së tij, Cenaj ka treguar se ka provuar sërisht për ndezjen e makinës dhe mjeti ishte ndezur, duke sjellë largimin e tij në Mamurras.

“…gjatë rrugës unë nuk e kam parë Mariglen Gjinaj…”,- ka treguar Cenaj, duke shtruar se atë ditë ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka punuar duke mbledhur barin.

Por nga kqyrja e profilit të “Facebook”, ka rezultuar se Kristjan Cenaj, në 18 Maj 2015 ka postuar fotografi në vende të tjera, shumë larg vendit të krimit Fushë-Kuqes dhe zonës ku ai ka shtëpinë në Mamurras.

Kontradiktat e tij në tregimin jo të sinqertë të kësaj ngjarje, bënë që grupi i hetimit të dalë në përfundimin se Kristjan Cenaj është autor i dyshuar i vrasjes së, shokut të tij Mariglen Gjonaj.

Eshtrat e këtij të fundit u zbuluan rastësisht në 3 Prill 2022, kur një fshatar i zonës së Fushë-Kuqes, i vuri zjarrin një ferre pranë pronës së tij.

Me djegien e ferrës, dolën në dritë dhe mbetjet kockore të një njeriu. Pas analizimit të ADN-së, rezultoi se eshtrat i përkisnin pikërisht 16-vjeçarit të zhdukur në Maj 2015 Mariglen Gjonaj.

Nga muaji prill e deri në tetor, prokuroria dhe policia e Laçit kanë zhvilluar disa veprime hetimore, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e shokut të viktimës, Krisjan Cenaj.

Ndalimi i tij është bërë vetëm pas ardhjes nga Italia, ku pasi mori pjesë në dasmën e vëllait të tij, në mesnatë ai ka vendosur të largohet sërisht në Itali.

Por Cenaj u arrestua në pikën kufitare të Rinasit, duke ju komunikuar akuza e vrasjes së 16-vjeçari.

Sipas burimeve të prokurorisë, vrasja e Mariglen Gjonaj është bërë për qëllime grabitje, pasi viktima ditën e ngjarjes ishte duke festuar mbrëmjen e maturës, dhe me vete kishte një varëse dhe byzylyk floriri si dhe një orë dore “Rolex” në dorë, sende këto që ende nuk janë gjendur.