Policia ka zbardhur ngjarjen e një nate më parë në Devoll, ku u dogj makina tip “Audi A4” e 34-vjeçarit Marsel Buçi dhe ky i fundit dhe babai i tij akuzuan për ngjarjen Deizi Arapin, e reja së cilës iu dogj mjeti pak javë më parë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se autorë të kësaj ngjarje janë dy vëllezërit nga Elbasani Durim dhe Resmi Stafa. Uniformat blu kanë ndaluar 35-vjeçarin Durim Stafa dhe kanë shpallur në kërkim vëllain e tij Resmi Stafa.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur një natë më parë në Bilisht, ku u dogj automjeti i një 34-vjeçari.
Identifikohen 2 autorët e dyshuar (vëllezër) të zjarrvënies, vihet në pranga njëri prej tyre dhe shpallet në kërkim autori tjetër i dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll, pas një pune intensive hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 10.10.2022, në qytetin e Bilishtit, ku u dogj një automjet, bënë të mundur identifikimin e 2 autorëve të dyshuar të saj.
Si rezultat, u bë ndalimi i shtetasit Durim Stafa, 35 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi Resmi Stafa, 40 vjeç (vëllezër), të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore dhe nga provat e grumbulluara rezultoi se këta shtetas i kanë vënë zjarrin automjetit tip “Audi A4”, në pronësi të shtetasit M. B., 34 vjeç, banues në Bilisht dhe për pasojë, automjeti është djegur plotësisht.
Vijon puna për vënien para përgjegjësisë penale të përsonave të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.