Efektivi i policisë së burgjeve Flamur Bejko është vendosur dje në pranga bashkë me 13 persona të tjerë, si pjesë e një grupi kriminal që vepronte në Tiranë dhe në Durrës. Ai akuzohet se porositi një vrasje të dyfishtë të S.Z dhe I.H.
Prapaskena mëson se bëhet fjalë për Sajmir Zotkaj, 37 vjeç, i arrestuar për trafik droge në vitin 2014. Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Durrësit, Zotkaj u kap në vitin 2017 duke shpërndarë drogë në burg, në bashkëpunim me persona të tjerë.
Bejko kërkonte të hiqte qafet Zotkajn dhe shokun e tij I. H., të dy trafikantë.
Vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj treguan se janë paguar paraprakisht me shumën 3500 euro dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngjarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik.
Por cila ishte arsyeja që polici i donte të vdekur dy personat?
Shënjestrat Sajmir Zotkaj dhe I.H. kanë qenë të dy të dënuar për drogë. Flamur Bejko ka qenë gardian në burgun e Durrësit dhe ishte personi që fuste drogën në ambientet e burgut për llogari të dy të dënuarve.
Këta nuk i kanë dhënë lekët e futjes të drogës në burg dhe kur kanë dalë jashtë ai ka vijuar t’ua kërkojë.
Dy të dënuarit e kanë dhunuar fizikisht gardianin dhe për pasojë ai ka dashur të hakmerret, duke kontraktuar vrasës me pagesë për ekzekutimin e tyre.