Policia ka shpallur në kërkim Agron Bejdollin për pengamarrjen e Indrit Beqirajt në autostradën Tiranë – Durrës.
Bejdolli njihet si person shumë i ngushtë i Aleksandër Lahos, alias Pëllumb Muharremi dhe i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.
Agron Bejdolli drejtonte makinën e Rrumit ditën e atentatit ndaj makinës se prokurorit Arjan Ndoj dhe ishte ai që çoi në spital Ndojin dhe “Rrumin”.
Burime bëjnë me dije se Policia ka shpallur edhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk dihet.
Mësohet se autorët që lëviznin me një mjet i kanë bërë pritë në autostradë motorit të dy vëllëzërve Beqiraj duke u konfliktuar fizikisht me ta.
Në vëndin e ngjarjes ka qënë edhe një patrullë e policisë rrugore që ka parë ngjarjën dhe është vënë në ndjekje të tyre, deri në momentin që njëri prej vëllezërve ka mundur të dalë nga makina e autorëve.
Në bazë të dëshmisë së Indrit Beqiraj dhe vëllanë të tij është referuar si konflikt i çastit. Ndërkohë për rreth dy orë Indrit Beqiraj është lënë i lirë nga pengmarrja.
Policia po heton mbi prishjen e pazareve për shitjen e armëve të zjarrit, por nuk përjashtohen as ato për drogën apo edhe konflikte të mëparshme.
Nga ana tjetër, Ndoja ishte objektiv i një atentati në fillim të muajit nëntor të 2019 tek rrethrrotullimi i Shkozeti, ku në makinë ishte pikërisht me Lahon.
Nga atentati mbetën të plagosur prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku. Në makinën e prokurorit çuditërisht u gjet dosja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i vrarë në një atentat mafioz në Vlorë si dhe disa dokumente të vjedhura.
Ndërkaq, Arjan Ndoja ka deklaruar se Aleksandër Laho nuk rezulton as i dënuar dhe as i proceduar penalisht. Sipas tij ‘Rrumi’ lëviz lirisht jashtë vendit që do të thotë se nuk është në kërkim në asnjë vend. Në këto kushte, Ndoja ka pohuar se nuk ka pse t’i kalojë barra e provës për lidhje me Aleksandër Lahon.
Por, Komisioni i Vetingut ka konkluduar se për Aleksandër Lahon ka të dhënë se ka qenë i përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar jashtë territorit Shqipërisë, ndërkohë që Ndoja i nuk ka bërë përpjekje dhe nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar të kundërtën e këtij informacioni.